Edon Hasani duket se do të vazhdojë aventurën me skuadrën e Kastriotit. Edhe pse u përfol për një largim të shkodranit nga krutanët, dita e djeshme i ka vënë vulën të ardhmes së tij.

Skuadra e Kastriotit ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik dhe pjesë e seancës stërvitore ka qenë edhe shkodrani. Ai ka marrë ngarkesën e plotë nën urdhrat e trajnerit Emiliano Çela.

Në fotot e postuara në kanalin zyrtar të klubit, Hasani shfaqet tejet i motivuar dhe në formë të mirë fizike. 30-vjeçari pritet të mbajë një peshë të madhe në ekipin krutan falë eksperiencës dhe cilësive që zotëron.

Edhe pse u tha në media për një transferim të tij në Kosovë, me sa duket ai ka preferuar Superioren para elitës kosovare. Në edicionin që lamë pas, Hasani shkëlqeu me Kastriotin duke u aktivizuar në 26 ndeshje si dhe duke shënuar 3 gola. U rikthye në fushë pas një mungese të gjatë për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju./newsport/