Totenhemi do të luajë pas pak në transfertë ndaj Bërnlejt, sfidën e vlefshme për javën e 27-të të Premier Ligës. Një ndeshje, e cila shihet si mjaft e rëndësishme për “gjelat” e Londrës, për vetë faktin se Liverpuli do të luajë në “Old Traford” nesër dhe në rast fitoreje mund të ngushtojnë diferencën me vendin e parë.

Rëndësia që i është dhënë kësaj sfide duket qartë edhe nga formacionet, ku bie në sy aktivizimi si titullar i kapitenit Herri Kejn. Sulmuesi u dëmtua në fillimin e muajit të kaluar, pas ndeshjes ndaj Mançester Junajtid dhe u mendua se do të kthehej në mesin e muajit mars.
Gjithsesi, periudha e riaftësimit të 25-vjeçarit ka shkuar më mirë nga çfarë pritej dhe ditën e sotme ai do të rikthehet titullar. Një lajm i mirë ky për Poçetinon, i cili tashmë merr frymë lirisht në fazën ofensive, ku Kejn dhe Son pritet të udhëheqin Totenhemin deri në fund në garën për titull si dhe për Championsin.