Lionel Messi e ka marrë tashmë vendimin e tij për t’u larguar nga PSG dhe për t’iu bashkuar Inter Miamit në MLS, por Kylian Mbappé, shoku i tij i skuadrës në ekipin parizien, nuk e ka pritur mirë largimin e “Pleshtit”.

Në një prononcim për “La Gazzetta dello Sport”, Mbappe deklaroi se Messin nuk e trajtuan ashtu siç ai e meritonte në Francë.

“Messi? Ne po flasim për lojtarin potencialisht më të mirë në historinë e futbollit. Nuk është kurrë një lajm i mirë kur dikush si Messi largohet.

Nuk e kuptoj pse kaq shumë njerëz u lehtësuan që ai po largohej. Ai nuk e mori respektin që meritonte në Francë.Turp…”, ka rrëfyer me pak fjalë Mbappe, që ka shkaktuar menjëherë një sërë reagimesh në rrjetet sociale.

Dyshja Mbappé-Messi te PSG ishte shumë produktive, por mbajtja e një liste kaq të lartë pagash u bë shumë e vështirë për bordin e drejtuar nga Al-Khelaiffi, pasi ata kanë në radhët e tyre edhe Neymarin.

“Unë pata fatin të takoja Cristianon dhe më pas të luaja me Messin dhe kundër Messit. Ata janë vërtet të veçantë. Kam mësuar shumë prej tyre, veçanërisht me Messin gjatë këtyre dy viteve. Ata kanë shkruar historinë e futbollit, janë të pavdekshëm”, ka rrëfyer Mbappé.”