Penalltia e anuluar e Julian Alvarez në takimin ndaj Real Madridit në kuadër të 1/8-tës së Ligës së Kampionëve, u komentua gjerësisht nga gazetarë, analistë dhe lojtarë kundërshtarë. 

Në mesin e atyre që reaguan ishte edhe ylli i Barcelonës, Alejandro Balde, i cili dha mendimin e tij për këtë situatë. 

Sipas Baldes, Alvarez ishte i pafat në atë situatë, pasi ai rrëshqiti dhe pa qëllim e goditi topin me të dyja këmbët. 

Sidoqoftë, reprezentuesi spanjoll e bëri me dije se rregullat janë të qarta në këto situata dhe se vendimi ishte marrë në bazë të rregullave. 

“Ai ishte shumë i pafat, ai rrëshqiti dhe e goditi topin me këmbën tjetër. Këto janë rregullat”. 

“Nëse e prekni topin me të dyja këmbët nuk është mirë, dhe kështu ndodhi”, ka thënë Balde. 

Vlen të theksohet se Balde nuk ishte lojtari i vetëm nga kampi i Barcelonës që reagoi për rastin e penalltisë së Alvarez. 

Kjo pasi pak a shumë të njëjtin qëndrim e pati edhe Gavi, ndonëse ky i fundit nuk dha një përgjigje direkte se a ishte vendim i duhur apo jo, mirëpo kishte thënë se duhet t’i besojmë gjyqtarëve./Telegrafi