Pas Yll Hoxhës, Vllaznia ditën e sotme ka bërë një tjetër goditje të rëndësishme në merkato. Bëhet fjalë për mbrojtësin Ditmar Bicaj i cili mesditën e sotme ka firmosur kontratën me klubin shkodran. 26 vjeçari në fakt pak kohë u parë u transferua në kampionatin iranian me klubin Makine Sazi por ditët e fundit Federata e këtij vendi i ka nxjerrë një problem dhe lojtari është detyruar të prishë kontratën e të kthehet në Shqipëri. Me t’u kthyer këtu, ai ka hyrë në negociata sërish me drejtuesit e klubit shkodran dhe sot ka arritur akordin përfundimtar. Që do të thotë se për sezonin e ri, ai do të luajë me Vllazninë.
Ky kuptohet që konsiderohet një përforcim shumë i rëndësishëm për qendrën e mbrojtjes, pozicion ku trajneri Cungu kishte kërkuar edhe një tjetër lojtar cilësor përveç Cicmil e Vrapit. Me marrjen e Bicajt tashmë çdo gjë është mbyllur për mbrojtjen. Ardhja e këtij të fundit është një lajm me vlera edhe për tifozët shkodranë sepse lojtari me origjinë lezhjane përveç karrierën me Tiranën, Skënderbeun, Flamurtarin e Partizanin, tashmë do të ketë një tjetër fanellë të veshur, atë të Vllaznisë, skuadër për të cilën ka dhënë kontribut si trajner edhe babai i tij, Vasi Bicaj. Skuadra shkodrane në këtë mënyrë po merr formën e duhur dhe merkatoja e ditëve të fundit ka qenë e goditur por gjithsesi duhet pritur edhe pak ditë. Vllaznia e sezonit të ri pritet të jetë krejt ndryshe në krahasim me atë të sezoneve të mëparshme megjithatë, kampionati do edhe 5 javë për të nisur.
© shkodrasport.com