Trajneri që ka shpallur dy herë kampion Partizanin (1978-1979 dhe 1980-1981) dhe një herë Dinamon (1989-1990), mendon se Vllaznia ka bërë dy hapa para rivalëve në luftën për titullin. Bejkush Birçe, sot 77 vjeç, tregon edhe se kush mund t’i rrezikojë shkodranët.
“Vllaznia është një skuadër që deri më tani ka merituar gjithçka në fushën e lojës, pasi nuk ia ka falur kush ndeshjet. I ka marrë fitoret duke luajtur në 100% për këtë qëllim në çdo takim.
Nuk duhet të bëjë çudi në opinion fakti që Vllaznia po ecën mirë, sepse Shkodra ka qenë gjithmonë djep i futbollit dhe i kulturës. Nuk është një skuadër që doli nga dheu dhe ne duhet të befasohemi se është pretendente për kampion.
Jo, Vllaznia e meriton të jetë në krye me këtë ekip dhe nuk është aspak çudi që ajo të dalë kampione. E shoh favorite me atë që po tregon këtë kampionat. Nuk shikoj ndonjë skuadër tjetër që ta rrezikojë. Në fillim u mendua se Kukësi kishte një kontingjent të mirë dhe mund të bënte diferencën, por nuk ndodhi kështu.
Unë mendoj se Vllaznia ka bërë dy hapa para të tjerëve. Për shkodranët, në këtë moment, sukses do të jetë që organizimi i klubit të vazhdojë të mbetet në këto nivele, të jenë larg euforisë. Nëse fillojnë me probleme, duke përjetuar ndonjë humbje si dramë, do të kenë vështirësi. Askush nuk mund të thotë tani në futboll: ‘Unë nuk humbas kurrë’”, deklaroi fillimisht Birçe, për të folur më pas për skuadrat e kryeqytetit.
“Partizani me 9 pikë larg duhet të bëjë një merkato të fortë në të gjitha repartet. Si të thuash, duhet të fuqizojë ekipin në atë pikë saqë kur ta shikojnë tifozët, t’u shkëlqejë syri. Mendoj se edhe këto ndeshje që ka zhvilluar, nuk janë të Partizanit që dëshirojnë tifozët.
Ndërsa Tirana është një herë mirë, një herë keq. Kërkon të përmirësohet, gjen mundësitë, por edhe i largon ato që ka. Mendoj se janë probleme organizative të klubit”, përfundoi ish-trajneri që ka drejtuar edhe Kombëtaren shqiptare.