Garet Bejl flet hapur mbi marrëdhënien e tij me klubin e Real Madrid. Uellsiani tregon se në këtë pikë do ta vlerësonte çfarëdo oferte që do të vinte, por duke qenë se është në kontratë edhe për dy vite me madrilenët, asgjë nuk është në duart e tij. Sulmuesi thekson se edhe në verën e kaluar, ishin spanjollët ato që i prishën një marrëveshje në sekondat e fundit.

“Vitin e shkuar ata bllokuan gjithçka në sekondat e fundit. Ishte një project për të cilin unë isha shumë entuziast, por në fund nuk u materializua. Ka pasur edhe përplasje të tjera kur unë kam dashur të lëviz, por klubi nuk e ka lejuar ose ka bërë diçka. Kështu, çfarë mund të them unë. Unë dua të luaj dhe jam ende i motivuar, por është në duart e klubit.

Unë nuk mund të bëj shumë, ata kontrollojnë çdo gjë. Kam një kontratë dhe duhet të vazhdoj, në pritje se mund të dalë diçka. Jam në një situatë ku nëse do të vinin oferta, do t’i merrja parasysh. Por, është në duart e klubit dhe ata po e bëjnë gjithçka të vështirë”, u shpreh Bejl. /VipSport/