Nëse Vllaznia sivjet nuk është një skuadër pretendente, keqardhje për këtë gjë nuk kanë vetëm shkodranët por edhe të tjerë njerëz që kanë kontribuar në vite për të. Njëri prej tyre është edhe ish-futbollisti i saj në vitet 2002-04, pikërisht Skerdi Bejzade. I pranishëm në Shkodër ditën e dielë për të ndjekur ndeshjen Vllaznia-Kamza ngaqë është në rolin e drejtorit teknik të kamzalinjve, Bejzade ka pranuar të flasë edhe për skuadrën shkodrane madje ka dhënë edhe mendimin e tij sesi duhet të jetë Vllaznia në sezonin e ardhshëm.”Sivjet po duket qartë se Vllaznia nuk ka pretendime prandaj mendoj se drejtuesit e saj duhet të fillojnë të mendojnë që tani për sezonin e ardhshëm. Shkodra duhet ta ketë patjetër këtë skuadër në nivelin e duhur, të jetë pretendente prandaj dhe drejtuesit duhet të mendojnë të bëjnë blerje cilësore”-ka thënë ai. Bejzade flet me sinqeritet sepse e ka ende në zemër këtë skuadër me të cilën ka kaluar momente të mira të karrierës së tij. Prandaj dhe bashkë me shkodranët, duhen dëgjuar edhe këta të tjerët që kanë kontribuar në vite për këtë skuadër, në mënyrë që sezonin e ardhshëm Vllaznia të jetë krejt ndryshe nga tani, shumë më e fortë dhe pretendente.

www.shkodrasport.com