Tafaj I kontaktuar nga gazeta jonë, dje pasdite, drejtori sportiv i Tiranës Alban Tafaj ka deklaruar se sulmuesi Bekim Bala do të paguajë shumën prej 70 mijë eurosh për të qenë i lirë për të firmosur për ekipin çek, Sparta e Pragës. “Kemi biseduar me Balën sot (dje) dhe kemi rënë dakort që ai të paguajë shumën prej 70 mijë eurosh për të qenë i lirë dhe parimisht edhe ka qenë “Ok”. Është e vërtetë se fillimisht ne si klub kemi kërkuar shumën prej 100 mijë eurosh, por më pas, duke parë edhe disa detyrime të prapambetura që ne si klub, kemi ndaj këtij lojtari, ramë dakort që kjo shifër të zbritet në 70 mijë euro. Ndaj Balës detyrohemi dy rroga të prapambetura dhe ndonjë detyrim tjetër i vogël dhe kështu kemi bërë një përllogaritje, që nëse i japim ato detyrime këtij lojtari, atëherë ai do të duhet të paguajë shumën prej 100 mijë eurosh. E kundërta do të jetë, nëse ne nuk do t’ia japim, siç edhe kemi rënë dakort parimisht dhe kështu që ai do të paguajë shumën e cituar më lart, pra të 70 mijë eurove. Kështu që, pavarsisht se ai ende nuk e ka derdhur këtë shumë në arkën e klubit, Bala konsiderohet thuajse i larguar tashmë nga Tirana, për të firmosur me ekipin e Spartës së Pragës”, ka mbyllur kështu deklarimin e tij, drejtori sportiv i Tiranës, Alban Tafaj.
Bala Por lojtari pohon të kundërtën. Pas deklarimit të Tafajt, Bala është kontaktuar me telefon dhe është shprehur se Tiranës i detyrohet vetëm 50 mijë dhe për këtë shifër ai do të largohet nga kjo skuadër. “Në fakt unë kam biseduar me drejtorin Tafaj, dje, por vetëm përmes telefonit dhe natyrisht, që e kemi lënë që të takohemi nga afër. Ngërçi është drejt zgjidhjes përfundimtare, por jo me atë shifër që pretendojnë drejtuesit e Tiranës, pra të 70 mijë eurove. Unë do të derdhi në arkën e klubit vetëm shumën prej 50 mijë eurosh, për këta 4 muaj të fundit, që më kanë mbetur në kontratë me Tiranën, pasi në dhjetor të këtij viti, gjithçka përfundon me Tiranën dhe në mënyrë zyrtare. 20 mijë euro të tjera që pretendojnë drejtuesit e këtij klubi, ata m’i kanë mua borxh që nga sezoni i kaluar, qoftë në rroga, por edhe në premio të pa dhëna apo detyrime të tjera. Kështu, që në këtë drejtim jam krejt i qetë dhe pres vetëm të depozitoj shumën prej 50 mijë eurove në arkën e klubit të Tiranës dhe unë do të jem i lirë për të firmosur me ekipin e Spartës së Pragës”, ka mbyllur kështu deklarimin e tij, mbrëmë, sulmuesi shkodran Bekim Bala, tashmë vetëm një hap larg Spartës së Pragës, ku mungon vetëm formaliteti për të firmosur kontratën e re, pasi në detaje është mbyllur gjithçka për tri vitet e ardhshme.
Mejdan ZHIVANI