Duke parë që tek Tirana është një situatë tejet e rënduar dhe e pa shpresë për zgjidhje, lojtarët e këtij ekipi janë kthyer në “gjueti” të ekipeve më të mira të Superligës. Ekipi i Skënderbeut kërkon të bëjë një tjetër goditje të bujshme në merkaton e janarit, duke kërkuar që të afrojë në skuadër dyshen e njohur shkodrane, të Tiranës, mesfushorin Gilman Lika dhe sulmuesin Bekim Bala. Ndonëse i pari e ka pranuar publikisht në shtypin e shkruar se skuadra korçare është i interesuar për të, sikurse dhe skuadra vlonjate, e që nuk diskutohet Vllaznia, i dyti duket se e ka mbajtur të fshehur një gjë të tillë. Por burime pranë klubit të Skënderbeut dhe Tiranës pohojnë faktin se në adresë të Balës ka ardhur një ofertë maramendëse për kampionatin shqiptar, në mënyrë që të shkojë në Korçë për pjesën tjetër të sezonit, por edhe për sezonin e ardhshëm. Mësohet se sulmuesi shkodran është tunduar jashtë mase nga oferta e presidentit Agim Zeqo, gjë e cila mund të bëjë, që ai të lëkundet shumë, pavarsisht se i ka dhënë fjalën Vllaznisë se pas Tiranës, nuk do ta ndërrojë me asnjë skuadër tjetër në Superligë. Por nëse Bala është tunduar nga oferta e Skënderbeut, ai dëshiron që të lëvizë së bashku me G.Likën në Korçë apo në çdo skuadër tjetër të Superligës, me përjashtim të ofertave të ndryshme, që mund të vijnë nga jashtë, ku aty gjerët duket se janë më të ndara. Gjithsesi ajo që është fakt, lidhet me atë, që Balës i ka pëlqyer së tepërmi oferta e korçarëve. Të shohim!
www.shkodrasport.com