Bekim Balaj bën për vete edhe ndihmësin e trajnerit De Biazi
Një gol për t’i dhënë 3 pikë skuadrës, një gol për të fituar besimin e plotë të trajnerit dhe për të bërë për vete një stadium të tërë, 8 mijë vetë që kanë qenë të pranishëm në sfidën e fituar nga Sparta Praga ndaj Tepliçes. Një histori, ajo e Bekim Balës, e nisur me dopietë në një ndeshje miqësore të verës. Për Spartën ishte “Ok” dhe pas një “mundje dore” të lehtë me Tiranën, u gjet një zgjidhje për transferimin e tij në Pragë. Aty ku e nisi me gola dhe paraqitja të mira, por me vështirësi për të gjetur hapësirat në çdo ndeshje si titullar, pasi skema e përdorur nga trajneri, 4-2-3-1, apo 4-1-4-1 bën që përpara të jetë vetëm një sulmues. Kështu, Balaj duhet ta ndajë atë zonë të fushës me sulmuesin tjetër, për ironi të fatit, sulmuesin e Kamerunit, Kueke, i cili në miqësoren e para ca ditëve nuk luajti, por që është titullar i ekipit afrikan. Një konkurrencë që ka forcuar më shumë Balaj, që sa herë është futur ka bërë diferencën në shumicën e rasteve, ashtu si të shtunën, në një duel që rimban në garë për titull Spartën. Ndërkaq, në stadium, i pranishëm ka qenë edhe Paolo Tramexani, ndihmësi i De Biazit dhe zv/trajneri i Kombëtares. “Bravo Bekim!” i ka thënë në fund të ndeshjes Paolo, që e ka ndjekur dhe, madje, ka mbetur i kënaqur nga paraqitja. “U takova me Paolon dhe më uroi për golin dhe sidomos për ndeshjen që kam zhvilluar, pasi goli ishte “qershia mbi tortë”. Madje, Tramexani i rrëfeu gjithashtu për urimet e De Biazit, që i telefonoi për ta pyetur se si kishte shkuar ndeshja. “Jam shumë i lumtur që De Biazi më ndjek dhe dua të rikthehem në Kombëtare për ndeshjet e radhës, pasi është emocion unik”. Ndërkaq, për tifozët, Balaj është kthyer në një hero dhe idhull. “Pas golit pashë që stadiumi u ndez i gjithi me fishekzjarrë dhe tymues. Ishte diçka fantastike kur më thërritën emrin tre herë. Shpresoj të vazhdoj kështu”.