Sulmuesi shkodran Bekim Balaj mesa duket nuk ka ndër mend të largohet nga skuadra ruse Akhmat, pjesë e së cilës është prej dy sezonesh. Pavarësisht ndonjë ideje për të ndërruar ambjent, kjo gjë pritet të mos realizohet dhe 27 vjeçari është përqendruar maksimalisht tek përgatitjet për sezonin e ri me skuadrën aktuale.

Forma e tij tashmë duket shumë e mirë dhe kjo është konfirmuar edhe në miqësoren e zhvilluar ditën e djeshme ndaj një ekipi austriak. Akhmat e ka fituar këtë ndeshje me rezultatin 4-1 dhe tre prej katër golave të shënuar prej tij mbajnë firmën e lojtarëve shqiptarë.

Të parin e ka dërguar në rrjetë Roshi ndërsa më pas i ka ardhur rradha sulmuesit shkodran Balaj. Në të dy momente, shtatëlarti i sulmit ka arritur të godasë saktë me kokë duke shënuar.

Kjo duket një nisje e mirë e përgatitjeve për sezonin e ri duke shpresuar se lojtari i kombëtares shqiptare t’i ketë lënë njëherë e mirë prapa problemet që ka patur me dëmtimet.

Prej këtyre të fundit siç dihet, në sezonin e kaluar Balaj ka luajtur shumë pak ndeshje dhe për këtë arsye, nuk ka arritur të shënojë asnjë gol. Ndoshta kjo gjë e bëri atë të mendonte për të gjetur një skuadër tjetër sepse mosha e tij është e re dhe ai ka nevojë për aktivizim.

Megjithatë edhe tek ekipi rus pritet të jetë titullar prandaj dhe po stërvitet fort. Aktivizimi i rregullt me Akhmat do ta ndihmonte atë edhe për kombëtaren shqiptare në të cilën nuk ka luajtur si titullar në ndeshjet e fundit.

Këto janë arsye të mjaftueshme për të thënë se përgatitjet kanë nisur në mënyrën e duhur. Dhe për më tepër, Bekim Balaj e ka gjetur rrugën e rrjetës dhe këtë gjë do të synojë ta bëjë sa më shumë edhe në ndeshjet zyrtare.
www.shkodrasport.com