Sulmuesi shkodran Bekim Balaj vazhdon të shfaqet gjithnjë e më protagonist për ekipin e tij Terek Grozny në kampionatin rus.
Edhe në ndeshjen e sotme ndaj FK Ural në fushën e kësaj të fundit, ai ka shënuar sërish. Madje dy gola. Shumë interesant goli i parë. Një top i kthyer prapa nga mbrojtësi tek portieri, që vonon në largimin e tij dhe bjondi shtatëlartë nga Shqipëria, e ka ndjekur atë duke e detyruar portierin ta përplaste topin në këmbët e tij dhe të përfundonte në rrjetë. Ky ka qenë goli i barazimit për Terek dhe më vonë do të ishte pikërisht Balaj që do të shënonte edhe golin e avantazhit. Ai ka ndjekur mjaft mirë një aksion të Odise Roshit nga krahu i djathtë dhe është shfaqur i lirë në zonën kundërshtare, aty ku nuk e ka patur të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë. Pas këtyre dy golave të shkodranit, Terek ka shënuar edhe dy gola të tjerë duke e mbyllur krejt takimin me fitoren e thellë 4-1. Me golat e shënuar sot, Bekim Balaj e ka çuar në 6 numrin e tyre në kampionat duke qenë kësisoj pika kryesore e referimit për skuadrën e tij. Terek me fitoren e sotme është ngjitur në kuotën e 21 pikëve duke kaluar tashmë në vendin e katërt në renditje, po aq sa ka edhe CSKA e Moskës. © shkodrasport.com