Nga Endri ÇINARI

Superliga shqiptare e futbollit në këtë javë do mbyllë edhe gjysmën e parë të sezonit. Surprizat duket se për momentin nuk po ndodhin në kampionat, ku në përfundim të pjesës së parë të edicionit thuajse të gjitha skuadrat janë brenda objektivave të tyre. Po ashtu përveç ekipeve, ka edhe objektiva personalë.

Një prej të cilëve është fitimi i Këpucës së Artë si golashënuesi më i mirë i kampionatit. Për momentin dhe tashmë që konsiderohet se do jetë fitues i këtij trofeu është Bekim Balaj. Me golin e djeshëm ndaj Tiranës, shtarlarti u ngjit në kuotën e 10 golave. Duke barazuar edhe Hasanin që tashmë ka ndarë rrugët me kampionatin shqiptar. Ku nga janari do jetë pjesë e Rapidit të Bukureshtit në Rumani.

Por Balaj po mban lart emrin e golashënuesve shqiptarë në kampionat, pasi protagonistë me golat kanë qenë të huajt. Kështu pavarësisht se Hasani nuk është i huaj, ai nuk është një prodhim i kampionatit shqiptar me 10 gola të shënuar në këtë edicion. Pas tij vjen i ndjeri, Dwamena që e tundi 9 herë rrjetën në kampionat.

Më pas në Superligë me 6 gola të shënuar është lojtari nga Mali, Bintsouka. Po ashtu 6 gola ka edhe azeri, Isgandarli i Egnatias. Sobowale i Laçit ka gjetur golin 5 herë. E ndërsa nga 4 herë e kanë gjetur edhe nigeriani, Francklin i Skënderbeut dhe braziliani, Denninson i Dinamos. Pra, Balaj është i vetmi prodhim i kampionatit shqiptar, që po mban lart “nderin” e shënuesve vendas në kampionat.