Partizani i ri nis nga pjesëmarrja në Champions dhe për të pasur një ecuri pozitive, pasi drejtuesit kanë kërkuar të kopjojnë Skënderbeun për të shkuar deri në fazën e grupeve, priten përforcime të rëndësishme në merkato. Sulmi, ose më mirë gjetja e një “pyke”, mbetet një mision i parealizuar për të kuqtë në merkatot e fundit.
Shumë emra kanë dalë në skenë dy javët e fundit, ku mes tyre ishte edhe sulmuesi i Kombëtares, Bekim Balaj, i cili pas largimit nga Akhmat Grozni ka dalë lojtar i lirë. U tha se falë bashkëpunimit me menaxherin Shkumbin Qormemeti, bisedimet ishin në rrugën e mbarë dhe pritej që shkodrani të bëhej pjesë e “demave”, të paktën për ndeshjet në Europë. Mirëpo, pista e 28-vjeçarit sa vjen dhe po zbehet te Partizani, pasi Bekim Balaj nuk do që të kthehet tani në futbollin shqiptar.
Lajmet e fundit të merkatos e dërgojnë sulmuesin e Kombëtares në Azi, ku parashikohet të nisë një aventurë të re në Korenë e Jugut, ku pa dyshim e pret një rrogë më e madhe se ajo mund t’i ofronte Partizani. Në pamundësi të afrimit të Balajt, të kuqtë duhet të shfrytëzojnë alternativat e tjera që kanë dalë së fundmi.
NGISAH BISMARK- Të shumta kanë qenë alternativat e përfolura gjatë kësaj periudhe për forcimin e sulmit te Partizani. Së fundmi në skenë ka dalë një emër i ri, me shpresën që ai mund të ndjekë të njëjtën rrugë që pati ish-sulmuesi i huazuar nga Kievo, Kaleb Ekuban. Pikërisht, bëhet fjalë për Ngisah Bismark, 21 vjeç, me origjinë nga Gana, por në pronësi të Kievos.
SILVIO XHUNIOR- Te Vllaznia spikati në sezonin e fundit sulmuesi brazilian Silvio Xhunior dhe emri i tij është lakuar që në janar te Partizani. Madje, ka qenë ish-trajneri i të kuqve, Hasan Lika, i cili e zbuloi në Shkodër në edicionin e fundit, ai që ua ka rekomanduar “demave” brazilianin.
Xhuniorit i ka mbaruar kontrata në Shkodër dhe Partizani nuk do të kishte asnjë pengesë për ta afruar. Klubi ka qëndruar hermetik gjatë kësaj periudhe merkatoje, duke mos pohuar apo mohuar asnjë nga emrat e lakuar. Gjithsesi, mësohet se emri i Silvo Xhuniorit është akoma në tryezën e drejtuesve të Partizanit.