Sulmuesi i Kombëtares, Bekim Balaj, ka shënuar sërish për ekipin e tij, Akhmat Groznin, që po zhvillon fazën përgatitore në Turqi. Këtë radhë ishte ekipi bjellorus i Dinamo Minsk kundërshtari i Akhmat Groznit, që fitoi me rezultatin 2-0.

Golin e parë e shënoi pikërisht sulmuesi shkodran në minutën e 58-të. Më pas skuadra ruse dyfishoi shifrat me Silva Lima. Duhet thënë se në pjesën e dytë skuadra kundërshtare luajti me 10 vetë, pasi një lojtar i saj u ndëshkua me karton të kuq në fundin e pjesë së parë.

Ky është goli i tretë që Bekim Balaj shënon në ndeshjet testuese në Turqi, duke treguar një formë shumë të mirë. Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, e ka pasur Balajn sulmuesin kryesor dhe golat që shkodrani po shënon janë një lajm shumë i mirë edhe për drejtuesin teknik të kuqezinjve. / Vipsport/