Mendimi për Pragën “Qyteti i Pragës është i veçantë dhe shumë tërheqës. Ndoshta më i bukuri nga të gjitha vendet ku kam qenë më parë. Të jep mundësi për të bërë një jetë komode dhe ka kushtet e përshtatshme për t’u rritur profesionalisht. Megjithatë, po mundohem të përshtatem me gjithçka në Çeki dhe mbi të gjitha me futbollin, i cili ndryshon shumë me atë ku unë jam aktivizuar më parë. Me ndihmën e shokëve të ekipit dhe drejtuesve të klubit po ia arrij më së miri dita-ditës”, shprehet Balaj i pyetur për mënyrën e përshtatjes në Pragë.
Pozicioni në ekip “Që nga momenti që u transferova në këtë skuadër isha i ndërgjegjshëm se nuk do të ishte e lehtë të zija një vend në formacion. Por, unë po përpiqem që të jem i dobishëm për klubin. Në Shqipëri, Sparta është një emër i njohur i futbollit dhe mendoj se paraqitjet e mia me këtë ekip bën që unë të luaj edhe me Kombëtaren, edhe pse në një ndeshje miqësore kundër Kamerunit”, thekson sulmuesi shkodran.
Sfida kundër Çelsit “Do të jetë mjaft interesante, pasi do të luajmë kundër kampionëve të Europës. Do të isha shumë i lumtur nëse do të me jepej mundësia për të qenë në fushën e lojës dhe pse jo të shënoja”, deklaron Bekim Balaj.
Konkurrenca me sulmuesin Lafata “Unë jam një lojtar i ri në moshë dhe kam ende shumë për të mësuar. Mendoj se do të jetë pikërisht Lafata, sulmuesi nga i cili mund të përfitoj shumë, pasi është një profesionist i vërtetë dhe ta imponon një gjë të tillë. Është shumë luftarak dhe gjithmonë kërkon të gjejë një mundësi për të shënuar. Është një nuhatës i mirë i portës kundërshtare. Unë do të shfrytëzoj çdo mundësi që do të më vihet në dispozicion nga ana e trajnerit dhe do të jap maksimumin për të justifikuar besimin e klubit. Nuk më tremb konkurrenca, por më motivon edhe më tepër për të qenë gjithnjë i karikuar”, përfundon sulmuesi shkodran i Spartës së Pragës.
www.shkodrasport.com