Bekim Balaj rikthehet si opsion për Vllazninë. I tentuar disa herë nga presidenti Alban Xhaferi në të kaluarën, duket se tashmë në merkaton e janarit është pikërisht momenti i duhur që sulmuesi të joshet.
Në fakt, dje vetë shkodrani ka konfirmuar përmes rrjeteve sociale se është larguar nga klubi turk, Ankara Keçiorenguçu. Balaj iu bashkua skuadrës së Ligës së Parë (niveli i dytë i futbollit në Turqi) në verën e këtij viti, ndërsa në 13 ndeshje të luajtura në kampionat, shënoi vetëm një gol.
Shtatlarti 31-vjeçar ka pasur statistika të mira vetëm në Kupën e Turqisë, ku në dy ndeshje të luajtura shënoi dy gola. Megjithatë, kontrata e shkodranit me Ankara Keçiorenguçu u prish para kohe dhe tashmë Balaj është një futbollist i lirë në treg.
Raporti i tij me presidentin e klubit shkodran mësohet se është mjaft i mirë dhe në të kaluarën ka qenë vetë Xhaferi ai që ka deklaruar se është munduar të bindë Balajn të rivishet kuqeblu.
Në këtë moment Vllaznia ka shumë nevojë për një sulmues me peshë, për vetë faktin se në pjesën e parë të sezonit kroati Aralica dhe braziliani Kaina nuk kanë bindur. Mbetet për t’u parë nëse sulmuesi do të rikthehet në Shkodër pas plot 12 vitesh larg Vllaznisë. Mësohet se kontaktet kanë nisur, por çdo gjë tashmë varet nga vetë lojtari, teksa do të shqyrtojë ofertat.