Sulmuesi shkodran Bekim Balaj është shfaqur edhe njëherë tjetër i rëndësishëm për skuadrën e tij të Spartës së Pragës. Në ndeshjen e mbrëmjen e sotme, ai ka shënuar golin vendimtar të ndeshjes ndaj ekipit FK Teplice dhe i ka dhënë Spartës fitoren 1-0. Në fakt ndeshja u duk se po shkonte drejt barazimit por për vendasit ka menduar Balaj që ka shënuar golin e fitores në minutën e 83-të të ndeshjes. Ai ka qenë për 90 minuta titullar në fushë dhe goli i sotëm ia rrit edhe më tepër vlerat atij.
Sulmuesi 21 vjeçar po kalon momente të mira tek Sparta, prej të cilave fitoi edhe një thirrje në kombëtaren shqiptare në miqësoren e fundit që ajo zhvilloi me Kamerunin dhe ku Balaj luajti disa minuta madje duke patur edhe një rast shënimi për gol.Me fitoren e sotme, Sparta e Pragës është ngjitur në kuotën e 30 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje pas Viktoria Plzen që udhëheq me një pikë më shumë pas javës së 15-të të kampionatit. Goli i mbrëmjes së sotme për Balën është i katërti për të në këtë kampionat.
www.shkodrasport.com