Futbollistët shkodranë vazhdojnë të jenë protagonistë me skuadrat e tyre jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj. Pas golave të shpeshtë të Xhevahir Sukajt dhe aktivizimeve të rregullta si titullar të Armando Vajushit, vjen suksesi edhe për shkodranin tjetër Bekim Bala. Sulmuesi 21 vjeçar I transferuar gjatë muajit gusht nga Tirana tek Sparta e Pragës, po shndërrohet në protagonist për këtë ekip. Në ndeshjen e javës së gjashtë të kampionatit, atë të luajtur ndaj ekipit Hradec Kralove. Ka qenë minuta e 38-të e ndeshjes teksa shkodrani shtatëlartë ka goditur saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. Me këtë gol është mbyllur krejt ndeshja teksa Sparta e Pragës ka fituar 1-0 duke siguruar fitoren e pestë rradhazi. Kjo skuadër ndan vendin e parë të renditjes bashkë me një skuadër tjetër me pikaverazh të barabartë por me ndryshim golaverazhi. Goli I shënuar të dielën nga Bala është I dyti për të me skuadrën e Spartës, çka tregon se ai është në rrugë të mbarë duke justifikuar edhe besimin e drejtuesve të klubit që insistuan për ta marrë këtë lojtar gjatë merkatos së verës. Kjo është përvoja e dytë e këtij lojtari jashtë vendit teksa në përvojën e parë në Turqi, nuk arriti dot të qëndronte gjatë për arsye përshtatjeje. Këtë herë duket se gjërat janë krejt ndryshe. Në Çeki jo vetëm që po luan rregullisht në formacionin bazë si titullar por edhe po shndërrohet protagonist me golat e tij.
www.shkodrasport.com