Bekim Balaj ëndërron që të fitojë titullin kampion me Vllaznnë. Ashtu siç e ëndërron e gjithë Shkodra, sipas fjalëve të sulmuesit të kombëtares shqiptare, i cili tregoi kthimin e tij te Vllaznia në një intervistë për emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”.

“Me ndeshjen e djeshme, gjërat duken mirë. Jemi brenda pretendimeve që kemi, në vendin e dytë, afër Tiranës dhe javën që vjen na pret një ndeshje e vështirë me ta në Shkodër që do të thotë shumë për ne dhe për ecurinë tonë.

Vllaznia vinte pas dy rezultatesh jo të mira, kjo fitore kthen besim dhe atmosferë në skuadër, besoj se jemi në rrugën e duhur për objektivat që kemi dhe duhen marrë gjërat me qetësi.

Ndoshta është herët për të folur për ecurinë, për momentin jemi brenda pretendimeve tona, jemi në vend të dytë, lufta për titull është e hapur deri në fund mund të them. Tirana ka distancë prej 6 pikësh, por me ndeshjen e radhës do të bëjmë të pamundurën për të shkurtuar atë distancë edhe më shumë.

Ishte një moment në karrierë që vendosa të kthehem në Shkodër dhe kontaktet kanë qenë të vazhdueshme. Është një projekt serioz prej disa vitesh me punën që po bëjnë, pozicioni im në këtë projekt dhe vlerësimi që më bënë, plus dëshira për t’u kthyer në Shkodër e dhënë kontributin, momenti i mirë i skuadrës, organizimi e të gjitha. Në Shkodër ajo që të gjithë ëndërrojnë është titulli kampion dhe shpresojmë që këtë vit ta bëjmë realitet për të gjithë.

Kam biseduar me presidentin e Vllaznisë dhe drejtuesit, kam qenë në kontakte të vazhdueshme. I kam miq dhe i njoh prej vitesh, ka qenë e lehtë të gjenim gjuhën e përbashkët dhe nuk ka qenë zgjedhje e vështirë.

Hap mbrapa kthimi te Vllaznia? Kam bërë shumë vite jashtë Shqipërisë, e ndjej veten mirë, sapo kam mbushur 32 vjeç. Sigurisht që po të kthehesha në Shkodër, doja të isha në gjendje të luaja dhe të kontribuoja për këtë ekip. Vllaznia më ka dhënë shumë dhe tani është momenti që t’i jap diçka nga vetja.

Kombëtarja? Gjithë përqendrimi dhe fokusi është te Vllaznia dhe çdo gjë duhet marrë me radhë. E rëndësishme është të arrij sa më shpejt formën e duhur, që të kontribuoj më mirë dhe me gola në ndeshjet në vijim”, tha ndër të tjera Balaj në intervistën e tij.