Vllaznia ka një përball je të vështirë, por edhe me rëndësi këtë javë ndaj një tjetër kundërshtari direkt siç është Tirana. Këtë e ka theksuar edhe vetë kapiteni kuqeblu, Bekim Balaj. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai është shfaqur optimist se Vllaznia do të dijë të dalë fituese edhe nga kjo përballje, duke bërë edhe një hap tjetër të sigurt drejt katërshes së parë. Sulmuesi është i bindur se kuqeblutë i kanë të gjitha mundësitë për të dalë fitues nga përballja e së shtunës ndaj Tiranës, duke lënë pas me disa pikë edhe një kundërshtar direkt për luftën drejt katërshes.


Një fitore me shumë vlera ndaj Dinamos, që duket se ju la të punonit më qetë para Tiranës?

Normalisht që ishte një fitore me shumë vlerë ndaj Dinamos që me paraqitjet e fundit mendoj se është një ekip serioz për katërshen e parë. Normalisht, fitorja na ka lënë të qetë gjatë kësaj jave për të përgatitur sa më mirë ndeshjen ndaj Tiranës.

Një fitore që ju afron shume për një vend në katërshe?

Trepikëshi ndaj Dinamos na krijoi mundësinë të jemi në vendin e dytë, por edhe që na krijoi një distancë të konsiderueshme ndaj Dinamos e Tiranës që janë ndër ato ekipe që pretendojnë për katërshen e parë.


Të shtunën ndaj Tiranës, do të kërkohet fitorja e radhës apo edhe një pikë mund të jetë pozitive në këto momente?

Normalisht ndaj Tiranës përqendrimi është maksimal. Në Shkodër çdo ndeshje ndaj Tiranës është vlerësuar maksimalisht. E tillë do të jetë edhe kjo përballje. Tiranë është një kundërshtarë i përhershëm dhe direkt për katërshen e parë kështu që një fitore do të ishte shumë e vlefshme, por gjithsesi dhe me mbështetjen e tifozëve dhe me një vlerësim maksimal që i kemi bërë kësaj ndeshje do të kërkojmë që të bëjmë më të mirën dhe ta fitojmë këtë takim.