Viti që lamë pas mund të themi me plot gojën se ka qenë viti më i mirë për karrierën e tij sportive. Pas disa oshilacioneve të kaluar, është rikthyer tek Vllaznia dhe ka qenë një rikthim ashtu si duhet. Bekim Vjerdha fitoi titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe “qershia mbi tortë” padyshim që ka qenë fitimi i “Gongut të Artë” në Maqedoni. Ndërkohë, ai tashmë bashkë me trajnerët dhe shokët e tjerë të ekipit, ka nisur punën dhe përgatitjet për atë çfarë e pret në vitin 2018.

Duke folur për “Shkodra Sport” ai është shprehur: “E kemi patur pushim vetëm më 31 dhjetor dhe më 1 janar. Që nga data 2 jemi në palestër dhe po punojmë fort. Muajin e ardhshëm është një aktivitet në Tiranë dhe pas tij do jenë me rradhë të gjithë aktivitetet e tjera. Unë padyshim që vëmendjen e kam të përqendruar tek Memoriali që do të zhvillohet në Shkodër dhe më pas, kam shumë dëshirë që të marr pjesë në Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në muajin qershor. Sa i takon garave kombëtare, padyshim që do të synoj sërish titullin kampion dhe fitimin e Kupës së Shqipërisë”.
© shkodrasport.com