Ka përfunduar me suksesin e kombëtares shqiptare të boksit edhe turneu “Gongu i Artë” i zhvilluar për dy ditë me rradhë në Shkup të Maqedonisë. Shqipëria ka sfiduar Serbinë në renditjen ekipore dhe i ka rrëmbyer asaj vendin e parë. Por jo vetëm kaq. Boksieri shkodran Bekim Vjerdha është vlerësuar si boksieri më i mirë i aktivitetit duke merituar edhe trofeun e veçantë të “Gongut të Artë”.
Ndeshjet finale janë zhvilluar pasditen e sotme dhe në finale për kombëtaren tonë kanë qenë pesë boksierë. I pari ka zbritur në ring Ardit Murja ka fituar ndaj një boksieri maqedonas duke merituar medaljen e artë në peshën 56 kg. Në peshën 60 kg Krenar Zeneli ka humbur në finale ndaj një kundërshtari kroat me një vendim të diskutueshëm. Në finalen e peshës 64 kg Indrit Sokoli fitoi me nokdaun që në raundin e parë ndaj një boksieri maqedonas. Në finalen e peshës 75 kg Arjon Kajoshi ka fituar ndaj një boksieri serb dhe po ashtu, në finalen e peshës 85 kg, shkodrani tjetër Bekim Vjerdha ka fituar ndaj një tjetër boksieri serb. Përfundimisht, garën në mes Shqipërisë dhe Serbisë, dy ekipeve që kishin nxjerrë nga pesë sportistë në finale, e fitoi kombëtarja jonë e cila fitoi 4 vende të para ndërsa ajo serbe vetëm 3.
Në fund është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të kupës dhe medaljeve për më të mirët ku Bekim Vjerdha është vlerësuar më i miri i aktivitetit dhe është nderuar me trofeun e “Gongut të Artë”. Në këtë mënyrë, boksi shqiptar arrin një tjetër sukses dhe shkodranët spikasin me paraqitjet e tyre sërish.
© shkodrasport.com