Mbase nuk e kishte menduar as vetë por në fund kur ka dëgjuar t’i thirret emri për të marrë trofeun e “Gongut të Artë” në ringun e Shkupit, boksieri shkodran Bekim Vjerdha është ndjerë disi i befasuar. E ka pranuar edhe vetë këtë gjë në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” kur shprehet:

“Të them të drejtën nuk e besoja se do të shpallesha boksieri më i mirë i aktivitetit sepse kishte shumë sportistë cilësorë që merrnin pjesë në të. Unë besoja tek fitorja në ring dhe vetëm kaq. Por kur kam dëgjuar të thërrasin emrin tim si fitues, jam ndjerë i lumturuar në maksimum”. Ai ka konkurruar në peshën 81 kg dhe si për koinçidencë si në gjysmëfinale ashtu edhe në finale është ndeshur me boksierë nga Serbia. Madje, ndeshja e tij në finale ndaj Nikola Stefanoviç ka qenë përcaktuese edhe për fatin e ekipit më të mirë të turneut. Deri para kësaj ndeshje, Serbia dhe Shqipëria kishin nga tre vende të para dhe fitorja në këtë përballje, do të përcaktonte edhe ekipin më të mirë. Dhe Vjerdha nuk ka zhgënjyer. Ka zhvilluar një ndeshje të përkryer në të gjitha drejtimet dhe ka triumfuar ndaj kundërshtarit. “Ishte një emocion i madh sepse kur u vlerësove si më i miri, mendova shumë gjëra. Por, rëndësi ka që u shpërblye gjithë ajo punë e palodhshme që kemi zhvilluar në stërvitje dhe padyshim që kur sheh se emri yt do të vendoset në mes kampionëve të mëdhenj që e kanë fituar në vite këtë trofe, ndjehesh i shpërblyer”- thotë kampioni Vjerdha.

© shkodrasport.com