Nga Maringlen ZHIVANI

Futbollisti shkodran Belajdi Pusi do të jetë pjesë e futbollit rus për pjesën në vazhdim të karrierës së tij. 27-vjeçari ka lënë Azerbajxhanin për t’u bashkuar me skuadrën e FC Fakel Voronezh, ekip që militon në ligën më të lartë të futbollit rus dhe momentalisht ndodhet në vendin e 14-të të renditjes me 14-pikë.

Ky klub ka blerë kartonin e Pusit për 150-mijë euro, teksa edhe sulmuesi shkodran nga ana e tij do të ketë përfitime financiare të mëdha me kontratën që do të zgjasë dy vite e gjysmë. Një lëvizje e rëndësishme kjo për Pusin, ku pas eksperiencave në Azerbajxhan, ai transferohet në Rusi. Kjo lëvizje ka ardhur edhe si rrjedhojë e punës së menaxherit, Alsid Tafili, raporton shkodrasport.com

Ish-mesfushori i Vllaznisë, tashmë me një rol të ri në karrierën e tij, ka realizuar transferimin e rradhës. Në bashkëpunim me kompaninë e menaxhimit, DD Management Group, Tafili ka bërë të mundur këtë lëvizje. Pas lëvizjeve në verë dhe në janar që zhvilloi, tashmë Tafili duket shumë aktiv edhe në këtë periudhë.

Patjetër kjo lëvizje është e rëndësishme si për karrierën e Pusit, por edhe për Tafilin dhe bashkëpunëtorët e tij që dalëngadalë po bëhen protagonistë në botën e menaxhimit. Megjithatë, puna e tyre duket se nuk do të ndalet me kaq, pasi lëvizje të tjera të rëndësishme priten për futbollistët, të cilët Tafili i ka në menaxhim.

Kujtojmë që, edhe tek Vllaznia ai ka në menaxhim një prej futbollistëve më të mirë të kampionatit, siç është Esat Mala apo edhe emra të tjerë si Gledjan Pusi dhe Renato Malota tek Egnatia. Tashmë, në të ardhmen, Alsid Tafili dhe bashkëpunëtorët e tij po përgatiten për lëvizjet e rradhës.(www.shkodrasport.com)