U mbyll me një festival golash sfida mes Belgjikës dhe Tunizisë e luajtur në “Otkrytiye Arena” të Moskës.
“Djajtë e Kuq” fituan thellë 5-2 dhe praktikisht janë në fazën e 1/16-ave të “Rusi 2018”, edhe pse ekziston një skenar utopik (kualifikohen Anglia dhe Panamaja me nga 6 pikë me golavereazh me të mirë se Belgjika) që i nxjerr jashtë Botërorit.
Eden Hazard dhe Romelu Lukaku me nga një dygolësh dhe rrjeta e Batshwayi, i dhanë vetëm vlerë statistikore finalizimeve të Bronn dhe Khazri të Tunizisë.
Sulmuesi i Manchester United, Lukaku, barazon Cristiano Ronaldon në renditjen e golashënuesve më të mirë me 4 finalizime në 2 ndeshje dhe përforcon kandidaturën për të fituar “Këpucën e Artë” të turneut.
Për herë të fundit nga dy gola në dy ndeshje radhazi i kishte shënuar Diego Armando Maradona në Botërorin e vitit 1986 ndaj Anglisë dhe Belgjikës.
Takimi i fundit në grup me Anglinë pritet të vendosë se cila nga këto dy skuadra do ta mbyllë në vendin e parë.