Anglia ka fituar në takimin e sotëm me rezultat të thellë ndaj Panamasë, duke ia dalë në shifrat 6-1. Një fitore kjo që ka ngritur entuziazmin dhe ka rritur pretendimet e tifozëve të saj, por ky rezultat tenistik i marrë ndaj Panamasë, mund të ketë edhe një efekt të kundërt për Anglinë.

Tashmë Kombëtarja e drejtuar nga ana e Southgate, ndan të njëjtin golavarazh me Belgjikën dhe kryeson vetëm falë kartonëve të verdhë, duke qenë më e pastër në lojën e saj.

Por nëse i hedhim një sy grupeve aktuale të Botërorit, atëherë rasti i Belgjikë-Angli është më shumë sesa i çuditshëm.

Ky është një takim që askush nuk dëshiron ta fitojë, pasi fituesi duhet të përballet me “ferrin” në rrugën pas grupeve të Botërorit, ndërsa për humbësin do të jetë rruga e shtruar deri në gjysmëfinalen e Botërorit.

Kështu, duke marrë parasysh llogaritë e grupeve deri më tani, teksa janë luajtur dy nga tre takimet e grupeve, Belgjika me vendin e dytë aktual do të luante me Japoninë në turin e ardhshëm, ndërsa sfida e vërtetë do të priste deri në gjysmëfinale, atje ku do të gjendej Spanja.

Nga ana tjetër fituesi i grupit mes Belgjikës dhe Anglisë nuk do të kishte shumë kohë për të festuar, pasi pas përballjes me Senegalin, e presin emra të frikshëm si Brazili, Gjermania, Franca, Portugalia, pa harruar edhe një kualifikim të mundshëm të Argjentinës. Atëherë, pyetja është e thjeshtë, kujt i intereson të fitojë në ndeshjen mes Belgjikës dhe Anglisë? /vipsport/