Pesë vite më parë në Lion, Italia i mposh ti me armët tipike të futbollit “axurr”: mbrojtje e hekurt, kundërsulme të shpejta, organizim takik të përpiktë. Belgjika nga ajo kohë është rritur, mbi të gjitha në vetëdijen e forcave të saj, duke u renditur e treta në Botërorin 2018.

Dhe është rritur mbi të gjithë Lukaku, siguria e jetës e Roberto Martinezit, trajner që ka një histori të ngjashme me atë të Robertos tjetër, teknikut “axurr”, i cili tani dëshiron të marrë hak, duke u mbështetur edhe te një precedent shpresëdhënës. Në krye të Uiganit të vogël fitoi Kupën FA pikërisht duke befasuar në të 90- ën “gjigantët” e Sitit të stërvitur nga Mançini, i cili më pas do t’i linte vendin Pelegrinit. Katalanasi shpreson të përfundojë në të njëjtën mënyrë.

KIELINI-LUKAKU – Për Italinë parashikohet një ndeshje e vështirë, e fortë, “e pistë”, ku do të llogariten lojtarët individualë përpara lojës dhe duelet në fushë. I pari dhe ndoshta më i rëndësishmi është delikat dhe thërret në detyrë Kielinin. Duhet të rikthehet në fushë 16 ditë pas dëmtimit muskulor të pësuar ndaj Zvicrës për të ndalur stërfuqinë fizike të Lukakut, diferencën e vërtetë të Belgjikës krahasuar me pesë vite më parë. Romelu në Itali është pjekur dhe përmirësuar. Nevojitet një fizik kafshëror qoftë edhe për ta markuar. Nëse Kielini nuk do të ofronte garanci, në fushë parashikohet të zbresë Açerbi, i provuar të mërkurën mes titullarëve.

IMOBILE-VERTONGEN – Në krahun tjetër të fushës do t’i takojë Imobiles dhe, ndoshta, më pas Belotit, duke ndjekur “traditën” e stafetës. Asnjëri nga të dy nuk vlen Lukakun dhe asnjëri nga të dy nuk ndodhet plotësisht në zemër të Mançinit. Megjithatë, janë gati dhe të bashkuar. Çiro kërkon golin e tretë në një Europian siç kanë arritur të bëjnë më përpara vetëm Kasano dhe Beloti në historinë “axurre” dhe shpreson që “Allianz” të shndërrohet në “Olimpico” ose më saktë teatrin e ën drrave të lacialit. Imobile duhet të hyjë në mbrojtjen e staxhionuar dhe të ngadaltë të mbrojtjes belge, ku lideri është Jan Vertongen, 34 vjeç, ishkampion i Totenhemi dhe tani te Benfika, i cili do të ketë një detyrë të dyfishtë: të rikthehet “kolonë” e zonës dhe të favorizojë inkursionet e shokëve.

ZHORZHINJO-DE BRYJNE – Belgjikë-Itali nuk do të jetë vetëm një sfidë e bazuar te forca. Në qendër të skenës do të rezultojë vendimtare cilësia e dy lojtarëve të jashtëzakonshëm: nga njëri krah “regjisori” Zhorzhinjo, në tjetrin i dëmtuari De Bryjne, mesfushori më i mirë në botë, të cilin Martinez shpreson ta ketë në fushë me çdo kusht. Italo-braziliani dikton kohët e “Axurrëve”, kampioni i Sitit “pikturon” futboll 20 metra më përpara. “Ka një inteligjencë taktike dhe është vrastar mes linjave”, ka treguar pikërisht Zhorzhinjo, i cili e shikon çdo javë në fushë në Premier Ligë.

DONARUMA-KURTUA – Në stadiumin e Nojerit, portierit më të mirë në botë, sfidohen edhe dy gjigantë të cilët kanë si qëllim t’i marrin trashëgiminë pikërisht gjermanit. Kurtua është i gjatë dy metra, vjen nga një familje volejbollistësh dhe ka veshur deri tani tri fanella të rëndësishme: të Çelsit, Atletikos së Madridit dhe Realit të Madridit. Donaruma, vetëm 4 centimetra më pak ka firmosur për PSG-në dhe Ligën e Kampioneve deri tani e ka parë vetëm në television. Mançini megjithatë nuk do t’i shkëmbente. Edhe nga këta të dy kalon fati i një sfide që i ka lënë të gjithë pa frymë.