Kapiteni i Vllaznisë, Amarildo Belisha, është në pritje të një oferte nga çfarëdolloj skuadre për të qenë pjesë e saj sezonin e ardhshëm. Megjithatë futbollisti, i cili tashmë është i lirë, preferon që më parë të bisedojë me drejtuesit e Vllaznisë, që kanë deklaruar se e kanë në planet e tyre edhe për kampionatin e ardhshëm. “Duke qenë se kontrata ime me Vllazninë ka përfunduar, tani jam në pritje të një ofertë nga drejtuesit e kësaj skuadre. Kam kaluar momente të mira dhe të këqija me Vllazninë, por tani do të dëshiroja që, nisur edhe nga aspekti familjar, të vijoja punën këtu. Megjithatë, kjo nuk është në dorën time. Duhet një mirëkuptim i gjithanshëm, në mënyrë që të arrihet akordi në bazë të preferencave të mia, por edhe objektivave të klubit.

Pres që të ulemi dhe të diskutojmë për të ardhmen time. Për momentin duhet që drejtuesit të ulen mes tyre dhe të zgjidhin problemin e pagave të prapambetura. Nëse një gjë e tillë zgjidhej, atëherë do të shpejtohej edhe marrëveshja mes meje dhe klubit për të ardhmen”, – ka thënë fillimisht futbollisti.
Ofertat – Gjatë këtyre kohëve, pavarësisht se në drejtim të mesfushorit kanë mbërritur një sërë ofertash nga disa klube të Kategorisë Superiore, vetë futbollisti nuk flet në lidhje me një temë të tillë duke u qëndruar besnik shkodranëve. “Nuk dua që të them se kam marrë oferta nga kjo apo ajo skuadër, pasi një gjë e tillë mund të merret për keq nga ana e drejtuesve të Vllaznisë. Mund t’ju them vetëm se kam oferta dhe se dëshiroj që të jem aktiv në fushën e blertë. Kam ende për të dhënë dhe gëzoj një formë të mirë sportive. Aktualisht jam duke u stërvitur me shokët e ekipit, në mënyrë që të jem i gatshëm kur të nisin edhe përgatitjet e këtij sezoni”, – ka përfunduar Belisha, i cili sipas të gjitha gjasave do të rinovojë edhe për një tjetër sezon me ekipin e Vllaznisë. Aktualisht te skuadra shkodrane nuk ka rinovuar asnjë prej futbollistëve, ndaj janë të paqartë për të ardhmen e tyre, ndërkohë që ofertat nga klube të tjera nuk u kanë munguar për asnjë moment.
Admir Uruçi