Katër ndeshjet e mbetura të fazës së tretë të kampionatit, ato me rivalet direkte, Luftëtarin, Laçin, Teutën dhe Tiranën, konsiderohen shumë të vështira dhe njëkohësisht përcaktuese për ecurinë e mëtejshme të Vllaznisë në kampionat. Kjo ngaqë janë ballafaqime me ekipet të cilat dhe ato duan t’i shkëputen sa më shpejt fundit të renditjes dhe për këtë arsye, rezultatet e tyre do të vendosin shumë gjëra.

Megjithatë sipas Amarildo Belishës, ish- futbollistit të kuqebluve, vëmendja maksimale duhet përqendruar njëherë tek sfida e parë,ajo e së shtunës me Luftëtarin ku duhet tentuar marrja medoemos e pikëve. “Futbollistët dhe stafi i Vllaznisë nuk duhet të shohin kalendarin e ndeshjeve të ardhshme sepse kjo do t’i dëmtonte ato. Nuk duhet menduar se me kë luajnë javën tjetër. E rëndësishme është të fokusohen maksimalisht tek sfida e rradhës, ajo me Luftëtarin. Me gjithë respektin që kam për këtë skuadër, nisur nga ajo çfarë ka paraqitur deri më tani, mendoj se kemi të bëjmë me një ekip të thyeshëm. Po t’u referohemi statistikave, Luftëtari ka pësuar gol thuajse në çdo ndeshje. Çka do të thotë se me pak kujdes, ata mund të ndëshkohen. Të luajturit në transfertë këtë herë, them se është diçka pozitive për Vllazninë. Ajo kur luan në “Loro Boriçi” e ka të vështirë të ushtrojë presion ndaj kundërshtarit sepse nuk ka një sulmues të mirëfilltë, ndërsa në ndeshjet në transfertë, përshtatet më kollaj. Me aftësitë e Bakajt por duke patur edhe mbështetjen e Shtubinës, Kalajës apo Çinarit në krahë, them se mund të goditet dhe Vllaznia të kthehet me fitore nga Gjirokastra por gjithsesi, duhet bërë shumë kujdes. Nga kjo ndeshje kurrsesi nuk duhet të dalim pa pikë”- është shprehur mesfushori që ka luajtur deri para dy sezonesh me Vllazninë duke qenë një nga lojtarët me më shumë ndeshje aktivizim në historinë e këtij klubi.

© shkodrasport.com