Vllaznia humbi kreun e renditjes këtë javë, duke ia lëshuar Partizanit, pas barazimit pa gola kundër Elbasanit, ku edhe fatin e kishte kundër, pasi goditi shtyllën katër herë.

Gjithsesi, shkodranët janë ende aty dhe e kanë hedhur tashmë kandidaturën për fitimin e titullit kampion të këtij sezoni. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori Amarildo Belisha, i bën një analizë skuadrës, ku shprehet se me Elbasanin meritonte më shumë. Ai vë theksin edhe te cilësitë e mesfushës si dhe te të rinjtë e talentuar si Delaj apo Dodaj.


Belisha, barazim ndeshja e fundit Elbasani-Vllaznia. Rezultat i drejtë?

Unë them se ndoshta Vllaznia mund të meritonte diçka më tepër, sepse ekipi e kontrolloi lojën në mbi 70-80% të kohës. Madje goditi edhe katër herë shtyllën, duke e dominuar lojën e ndoshta fati jo i mirë ndikoi te fitimi i tri pikëve në fund të 90 minutave.


Mendoni se ishin të goditura zgjedhjet e Brdariç për formacionin?

Mund të them se Delaj dhe Dodaj janë lojtarë të të njëjtit profil. Dhe të dy kanë pasur mundësitë e tyre këtë sezon. Por besoj se zgjedhja i dha të drejtë trajnerit, ku Dodaj ish- te lojtari më i spikatur në fushë. Por edhe Delaj për aq minuta sa u aktivizua ishte në ritëm. Unë them me bindje se janë dy futbollistë të fituar tashmë te Vllaznia dhe te të cilët mund të besosh në ndeshjet e ardhshme.