Vllaznia nuk ka bërë blerje të mëdha, nuk ka emra të mëdhenj në rradhët e saj, por mund të bëjë mirë në vazhdimin e sezonit. Kjo është ideja e kapitenit të saj Amarildo Belisha I cili mendon se skuadra, pjesë e së cilës ai është, më mirë do ishte të ndiqte shembullin e Teutës së këtij sezoni, sesa atë të Skënderbeut apo ndonjë skuadre që ka shpenzuar shuma të mëdha për marrjen e lojtarëve.
“Vllaznia sot nuk ka emra të mëdhenj, nuk ka parë në merkato për të marrë lojtarët më të mirë të mundshëm por janë bëra disa lëvizje të nevojshme për skuadrën. Besoj se kemi një ekip të mirë. Ndoshta vërtetë nuk mund të konsiderohemi pretendentë për fitimin qoftë edhe të Kupës, por besoj se kemi një grup kompakt në skuadër. Kjo është shumë e rëndësishme sot sepse po shohim shembullin e Teutës që krijoi një grup të mirë dhe ndoshta edhe vetë nuk e menduan se do ishin këtu ku janë sot. Mendimi im është se ekipet shqiptare nuk kanë shumë diferenca, po ashtu edhe lojtarët e tyre, nuk ka rëndësi sesa paguhesh sepse ajo që jep në fushën e lojës zakonisht nuk ka diferencë mes tyre. Prandaj dhe Vllaznia do ecë në këtë rrugë sepse besojmë tek harmonia që kemi në skuadër, besojmë tek puna që është bërë e vazhdon të bëhet në skuadër”-ka thënë numri 8 I kuqebluve. Kuqeblutë ia kanë nisur mbarë teksa e kanë mbyllur me fitore ndeshjen e parë të këtij viti, atë të luajtur ndaj Laçit për kupë. Belisha është I mendimit se pavarësisht ndonjë oshilacioni në fillimin e ndeshjes, fitorja nuk është vënë asnjëherë në dyshim e këtë e shpreh edhe në fjalët e tij kur thotë: “Në pjesën e parë të ndeshjes, edhe për faktin se disa lojtarë ishin të rinj në skuadër, të tjerë sigurisht që ishin nën presionin e ndeshjes dhe prandaj vonuan të dalin në lojën e tyre megjithatë në fundin e pjesës së parë dhe krejtësisht në të dytën, Vllaznia e ka dominuar plotësisht lojën dhe nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren, madje ajo duhej të ishte më e thellë”. Në këtë ndeshje, trajneri Vata e kishte vënë kapiteni të luajë në repartin e mbrojtjes përkrah Sykjes dhe në përgjithësi gjërat kanë shkuar mirë përderisa skuadra nuk pësoi gol dhe lojtarët e këtij reparti, morën përgëzimet edhe të trajnerit pas ndeshjes. Vetë Belisha thotë se për të nuk ka shumë rëndësi, në cilin repart luan, thjesht rëndësi ka t’I shërbejë skuadrës. “Unë për vete luaj pa problem edhe në mbrojtje. E rëndësishme është të zbatoj ato çfarë thotë trajneri. Nëse ai mendon se unë e bëj mirë edhe atë detyrë, për mua nuk ka asnjë problem dhe premtoj të bëj më të mirën që në çdo ndeshje Vllaznia të mos pësojë, apo të pësojë sa më pak gola”-thotë 30 vjeçari shkodran. Ndërkohë të dielën shkodranët do të udhëtojnë drejt Flamurtarit për të luajtur ndeshjen e dytë të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Për Belishën, janë të gjitha mundësitë që skuadra e tij të kthehet me pikë nga Vlora teksa në përfundim të fjalës së tij do thoshte: “Ne do të shkojmë për pikë në këtë ndeshje. Mundësitë për t’I marrë ato I kemi, pavarësisht se luajmë përballë një kundërshtari të fortë megjithatë Vllaznia do luajë ashtu siç di vetë dhe prandaj kam besim se mund t’ia dalim”.
www.shkodrasport.com