Paraqitja e kuqebluve në ndeshjen e fundit ka kënaqur të gjithë shkodranët. Një ndër to është edhe ish- futbollisti i Vllaznisë Amarildo Belisha.

Në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” ai do të shprehej: “Ndaj Flamurtarit, Vllaznia ka zhvilluar një nga ndeshjet e saj më të mira, për të mos thënë më të mirën e gjithë këtyre viteve të fundit.

Vërtetë nuk e nisi mirë ndeshjen por pas shënimit të golit të parë, çdo gjë u bë më e qartë. Skuadra funksionoi në të gjitha repartet dhe kjo solli lojë të bukur dhe mbi të gjitha një fitore të pastër.

Më ka pëlqyer jashtë mase Vucaj i cili po shfaq vlerat e tij të vërteta, pa lënë mënjanë vlerat e Sukajt që nuk e ka harruar “vesin” e tij të shënojë.

Nga mbrojtja dua të përmend Berishën i cili jo vetëm po rritet nga ndeshja në ndeshje por ka fituar shumë besim në vete duke qenë një pikë e fortë e skuadrës”- është shprehur ish-mesfushori i Vllaznisë.

Ndërkohë Belisha ka folur edhe për ndeshjen e rradhës të kësaj skuadre, atë të së shtunës ndaj Kamzës për të cilën thotë se mundësitë janë për ta fituar edhe këtë ndeshje.

Ja si shprehet ai: “Vllaznia në ndeshjet jashtë nuk është shfaqur ashtu si duhet. Lojtarët e saj janë disi të mefshtë kur luajnë jashtë Shkodrës dhe prandaj skuadra nuk ka marrë rezultatet e duhura.

Sakaq, ata janë më rezultativë kur luajnë brenda. Duhet prishur kjo gjë.

Futbollistët shkodranë duhet të shfrytëzojnë edhe faktin se presioni do të jetë më i madh tek ata sepse kanë dy ndeshje që humbasin dhe nëse do të humbasin edhe një të tretë rradhazi, pozitat e tyre do fillojnë të rrezikohen.

Prandaj dhe kjo gjë duhet shfrytëzuar në maksimum prej tyre”.
© shkodrasport.com