Skuadra e sapongjitur në Superiore, Bylis, është ende pa trajner. Largimi i Arian Bellait dhe ndihmësit të tij Kosta Michailidhis, duket se pritej, për më tepër që ballshiotët dhe tekniku zyrtarisht ishin ndarë me përfundimin e garës, pasi deri atëherë ishte edhe marrëveshja e bashkëpunimit.
Drejtuesit ballshiotë dhe presidenti Besnik Kapllanaj nuk do të qëndrojnë duarkryq. Presidenca mallakastriote do të bëjë zgjedhjen e duhur për stolin. Madje nga sa bëhet e ditur, kanë nisur që të hedhin “grepat” brenda, por edhe jashtë vendit. Në fakt, Bylisi ka prononcuar shumë trajnerë të rinj të talentuar dhe sidomos presidenti Kapllanaj, që u ka besuar stolin e ekipit që financon dhe më pas janë parë në drejtimin e ekipeve të njohura në vendin tonë, siç kanë qenë: Egbo, Beqiri, Xhafa, Kule etj.
Por, duket se në Ballsh do të hedhin sytë edhe nga Ballkani, madje pritet që trajneri i ri i Bylisit, me shumë gjasa të zgjidhet në qershor, atëherë kur skuadra pritet që të zbresë në fushën e blertë. Natyrisht që ka edhe vetë ofrime, madje edhe trajnerë të cilët kanë trajnuar ekipe të njohura në Kategorinë e Parë, apo dhe në Superiore.
Presidenca ballshiote s’do të kërkojë që të nxitohet edhe për faktin, se do të diskutohen objektivat dhe më pas do të vendoset edhe për stafin. Bordi s’do të kursehet, madje edhe për ndonjë emër me “peshë” sidomos ballkanas, ashtu siç ka bërë kur ka afruar Shensoin apo dhe Ilievskin.
Nga Bylisi është larguar edhe braziliani Nildo Xhufo që ka shkuar në shtetin e tij Brazil, ndërsa për Aleksandër Trumçin, kanë dalë në skenë edhe “sirenat” nga Shkëndija e Tetovës apo dhe Partizanit. Duket se drejtuesit ballshiotë e kanë përqendruar fokusin aktualisht te skuadra U-19, ku po shihen elementë kryesisht brazilianë dhe afrikanë, por edhe ballkanas për ekipin e të rinjve që do të luajë në Europë, ashtu sikurse mund të ketë edhe një riorganizim të akademisë.