Nuk është e nevojshme të kesh një histori gjithë jetën te Real Madridi për të hyrë në “Olimpin” e klubit të bardhë. Di Stéfano mbërriti te “Los Blancos” si një lojtar në moshë, Cristiano nuk ishte i ri, po ashtu, por as veteran kur u largua. Zidane, të cilin Florentino Perez e bleu në moshën 29-vjeçare, e magjepsi “Bernabeun”, pavarësisht periudhës së vështirë, pas fitores së Champions-it të nëntë, në vitet e para të galaktikëve.

Në atë periudhë, Real Madridi kishte besim te lojtarët në moshëdhe të sprovuar, se do të ofronin rezultate të menjëhershme. Kjo ndodhi gjithashtu me rastet e Figo, Ronaldo dhe Beckham, të cilët arritën te klubi i bardhë si yje të njohur. Një politikë që në vitet e fundit është ndryshuar te Real Madridi, përveç rasteve të veçanta si ai i Mbappé (26 vjeç), edhe pse ai është ende një lojtar me pothuajse gjithë karrierën përpara.

Megjithatë, krahasimi me Zidane është ai që ka goditur menjëherë në “Bernabeu”, i cili evidentohet në driblimet dhe pasimet e Bellingham. Që kur iku francezi në vitin 2006, para se të kthehej si trajner dhe të fitonte tre Champions League radhazi në vetëm dy vite e gjysmë, “Bernabeu” nuk e kishte shijuar një talent si Bellingham.

Anglezi ka avantazhin e madh, duke vazhduar krahasimin me “ZZ”, se është ende një djalosh 21-vjeçar, me gjithë karrierën përpara. Kjo nuk e pengoi të ndikonte në “Bernabeu” si pak lojtarë, pavarësisht 19 viteve mbi supe kur u prezantua si lojtari i ri i Real Madridit.

Të paktën 103 milionë euro pagoi klubi madrilen për Jude te Borussia Dortmund. Një “ofertë” e shkëlqyer duke marrë parasysh jo vetëm performancën e tij, por edhe krahasimin me “Zizou” (72 milionë… në vitin 2001) dhe, mbi të gjitha, periudhën e gjatë të amortizimit, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në termat komercialë, të lojtarit anglez, i cili ndan numrin 5 te “Los Blancos” me Zidane, një numër pa shumë histori para se të vinte francezi, dhe sponsorizim personal nga Adidas, që ende e ka trajnerin francez si ambasador dhe Bellingham si “aktivin” e vet më të madh në nivel planetar, tani që Messi është në fund të karrierës.

8 golat e tij (7 në La Liga) dhe 7 asistet, me shenjën e tij në secilën kategori në fitoren dramatike të “Mestalla”, janë, përtej të dhënave të ftohta, mishërimi i një shpirti rezistence që nuk është mbrojtur me kaq vendosmëri nga asnjë lojtar i veshur me të bardhë për vite me radhë. Ndoshta që nga kohët e Ramos nuk është parë një lojtar i Real Madridit që të demonstrojë me aq pastërti ADN-në e klubit të bardhë.

Megjithatë, krahasimi natyror i Bellingham nuk do të jetë kurrë me kapitenin legjendar, Ramos. Për stilin e lojës, pozicionin dhe aurën, referenca e përjetshme e JB do të jetë ZZ, për aq kohë sa anglezi ka, gjithashtu, shumë më shumë gola: 31 në 65 ndeshje me Real Madridin, pothuajse një gol çdo dy ndeshje, krahasuar me 49 të Zidane në 227 ndeshje./telesport/