Largimi i Karim Benzemasë nga kombëtarja franceze ka qenë i plotë. Vetëm pak orë pas përfundimit të finales së kampionatit botëror mes Francës dhe Argjentinës, kapiteni i Realit të Madridit ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij me “Blutë”, me anë të një postimi të shkurtër dhe mjaft domethënës: “Historia ime mbaroi këtu”.
Benzema ishte pjesë e delegacionit të Francës në kampionatin botëror, por ai qëndroi fare pak ditë me “Gjelat” për t’u kthyer në Madrid si pasojë e një dëmtimi që nuk i dha mundësinë të jepte kontributin e tij.
Pas tërheqjes së tij nga kombëtarja, të tjerë skenarë dolën në publik, që flisnin për një krisje përfundimtare mes tij dhe trajnerit Didie Deshamp. Por Benzema ka vendosur që të shkëpusë çdo lidhje të mundshme me kombëtaren franceze.
Siç bëjnë me dije mediat spanjolle, kapiteni i Realit të Madridit ka shkëputur edhe lidhjet në rrjetet sociale me kombëtaren dhe pjesën më të madhe të lojtarëve të kombëtares së Francës. Ai ka vendosur të mos ndjekë atë çfarë ndodh në kombëtaren e vendit të tij.
Megjithatë, ai ka vijuar të mbajë kontakte në rrjetet sociale me vetëm nga 5 lojtarët që ishin pjesë e Francës në kampionatin botëror në Katar.
Kështu, të vetmit lojtarë francezë që janë pjesë e rrethit miqësor të Benzemasë në “Instagram” janë dy shokët e ekipit te Reali i Madridit, Eduardo Kamavinga dhe Oreljë Tçoumeni si dhe ish-shoku i tij te Reali i Madridit, Rafael Varan. Dy të tjerët janë, Turam dhe Kilië Mbape.
I veçantë është fakti se Benzema nuk ka mbajtur kontakte as me kapitenin e Francës, Hugo Loris, apo lojtarëve të tjerë kyç të ekipit si Antuan Grizman e Osman Dembele.