Ish-legjenda e Real Madridit, Karim Benzema, nuk është shfaqur në stërvitje për klubin arab Al-Ittihad dhe për këtë arsye trajneri Marcelo Gallardo e ka përjashtuar atë nga udhëtimi në Dubai këtë vikend.

Këto zhvillime ka ndodhur pasi siç raportohet Benzema ka mbetur tejet i frustruar para zhvillimit të një ndeshje në Ligën Saudite më datë 30 dhjetor sipas mediumit lokal Al-Riyadiya.

Ky medium raportoi se ish-fituesi i Topit të Artë është larguar nga qyteti për arsye të panjohura, disa orë para se ekipi i tij të përballej me Al-Tai dhe nuk është stërvitur me ekipin para kësaj ndeshje.

Gallardo nuk mundi të japë një shpjegim të qartë për këtë, por ndeshja u anulua siç u njoftua përmes një komunikate zyrtare nga Liga Saudite.

Tani gazeta spanjolle MARCA raporton se Benzema “nuk është shfaqur për rifillimin e sezonit tek Al-Ittihad dhe sipas urdhrit të trajnerit, ai nuk do të paraqitet në turneun që ekipi do ta luajë në Dubai”.

Benzema duhej që të paraqitej në qendrën stërvitore të ekipit, por ai nuk e ka bërë këtë sipas asaj që shton raporti i MARCA-s, transmetuar nga burimet arabe.

Kjo ka shtyrë Gallardon që të marrë vendim për lënien në shtëpi të Benzemas, teksa ekipi do të udhëtojë sot (e diel) në drejtim të Dubait.

Që prej transferimit ‘shokues’ nga Real Madridi në Lindjen e Mesme, Benzema nuk ka arritur që të impresionojë me paraqitjet e tij.

Madje, ka pasur raportime se tifozët dhe zyrtarët e klubit nuk janë ndarë aspak të kënaqur me paraqitjet e 36-vjeçarit në ndeshjet e mëdha këtë sezon./Telegrafi/