Një nga figurat e njohura të futbollit shqiptar, Elvin Beqiri, ka komentuar prurjet e reja dhe ndryshimet që kanë ndodhur në kombëtaren shqiptare nga Panuçi, sa i përket ndeshjes së radhës me Norvegjinë.
Në një intervistë për “Supersport”, ish-mbrojtësi i Kombëtares është shprehur se do të ndihet mungesa e Ansi Agollit.
“Elementet duken interesante, pasi janë afruar lojtarë të rinj të marrë nga Shpresat.
Tashmë duhet të shihen, pasi këto miqësore shërbejnë për të parë këto elemente. Faza e mbrojtjes është mirë, pavarësisht faktit se Ansi Agolli do t’i mungojë Kombëtares, pasi ka qenë një pikë e fortë për Shqipërinë.
Megjithatë ka shumë elemente të rinj që mund t’i dublojnë këto mungesa dhe të kemi një Kombëtare sa më të fortë në të ardhmen.
Shqipëria ka potencial, pasi ka marrë pjesë edhe në kampionatin europian. Kjo është një reklamë shumë e mirë për ne dhe lojtarët.
Në Ligën e Kombeve do të luajmë përballë Skocisë dhe Izraelit, por ne kemi objektivat tona dhe do të mundohemi të marrim maksimumin nga këto ndeshje”, është shprehur Elvin Beqiri. /vipsport/