Përveç sulmeve që i janë bërë trajnerit Ernest Gjoka kohët e fundit, ka edhe nga ata që mendojnë ndryshe.

Njëri prej tyre është pikërisht Elvin Beqiri, ish-kapiteni i kësaj skuadre.

Ai kërkon që të gjithë t’i japin kohë këtij trajneri sepse “ai nuk është magjistar por trajner futbollli”.

Ja si shprehet ai në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”:

Vërehet njëfarë ndryshimi në skuadër pas janarit. Të paktën nga emrat, të ngroh kjo merkato por ekipit i duhet pak kohë.

Lojtarët e ardhur, duan kohë të ambjentohen si duhet me pjesën tjetër të ekipit. Jo më kot trajneri ka thënë se duhet durim dhe unë e mbështes jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim.

Sepse në çdo skuadër, në çdo lloj sporti, duhet pak kohë për harmonizimin e skuadrës sepse trajneri nuk ka shkopin magjik për t’i bërë ndryshimet menjëherë.

Ne nuk kemi marrë në ekip një magjistar por një trajner futbolli. Prandaj nuk duhet sulmuar në asnjë aspekt trajneri, po ashtu edhe lojtarët dhe komplet klubi.

Tifozët, të gjithë ne njerëzit e sportit, duhet t’i mbështesim. Ekipi në këto momente të vështira ka nevojë për t’iu gjendur pranë sepse kur është mirë, nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

Kampionati ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur dhe prandaj shpresoj që të gjithë të jenë në mbështetje të Vllaznisë.

Ajo mund të ketë sërish ndonjë humbje tjetër por nuk duhet të dëshpërohemi. Përkundrazi, të jemi të gjithë pranë saj”
© shkodrasport.com