Ideja mund të ketë qenë për të hequr dorë në fundin e sezonit të kaluar, ashtu siç bëri Belisha, shoku i tij i ngushtë, por vendosi të vazhdonte sërish. Elvin Beqiri nuk është penduar për zgjedhjen e bërë dhe ndonëse këtë vit mbush 35 vjeç, ai ndihet “i ri”. Në fushë të paktën ka treguar se mund të luajë me ritëm ashtu si dhe pjesa tjetër e skuadrës duke qenë një nga më të mirët në fushën e lojës, paçka se me Krymin për shembull ka thuajse dyfishin e moshës.
Beqiri mban shiritin e kapitenit dhe është vlerë e Vllaznisë. Ai në një rrëfim për gazetën rrëfen mënyrën si është stërvitur skuadra gjatë këtyre ditëve në Ulqin, flet për merkaton dhe ndeshjen e rradhës me Kukësin. Ja intervista e tij e plotë për gazetën tonë:
-Beqiri, këtë fundjavë pushim pranë familjes në Shkodër por si kanë shkuar përgatitjet 10 ditore në Ulqin?
-Gjërat kanë shkuar shumë mirë. Stërvitja është zhvilluar në kushte komode dhe ka patur një angazhim maksimal të të gjithë futbollistëve. Më tepër, ashtu siç ka thënë edhe trajneri, kemi punuar në aspektin taktik dhe për këtë arsye, kemi zhvilluar kryesisht nga një seancë në ditë por kjo seancë ka zgjatur mbi dy orë dhe kemi punuar më shumë me topin. Ajo që konstatoj unë si lojtari më me përvojë i skuadrës është se puna përgatitore gjatë këtyre 10 ditëve është bërë me shumë dëshirë nga ana e të gjithëve dhe kjo është e rëndësishme.
-Ndërkohë nga skuadra është larguar Kruja. Sa do ndikojë një largim i tillë për ju si kapiten i saj?
-Kruja është një lojtar cilësor dhe pavarësisht se për njëfarë periudhe të këtij sezoni ai nuk ka kaluar një formë të mirë, sërish largimi i tij krijon një boshllëk dhe do na prishë punë por besoj se lojarët që do ta zëvendësojnë, të mundohen ta bëjnë në mënyrën e duhur këtë gjë që mungesa e tij të mos ndihet.
-Nga ana tjetër është kthyer Soza dhe skuadra thuajse është ajo që ka qenë në gjysmën e parë të sezonit apo jo?
-Në numër lojtarësh po. Ka ikur Kruja, ka ardhur Bardulla, pavarësisht se nuk luajnë në të njëjtin pozicion. Po ashtu kanë ardhur edhe disa lojtarë të rinj nga Akademia dhe ekziston mundësia që me skuadrën për gjysmën e dytë të sezonit të bashkohet edhe ndonjëri nga lojtarët e huaj që ka ardhur për provë. Shpresoj shumë që me këtë kotigjent lojtarësh ta përballojmë ashtu si duhet gjysmën e dytë të sezonit ndonëse ajo siç dihet do të jetë shumë më e vështirë ngaqë kështu ndodh vazhdimisht në kampionatin tonë.
-Vllaznia është e gatshme për ta përballuar siç duhet atë?
-Them që po. Gjendja e skuadrës është e mirë dhe morali është i lartë. Pesë fitoret e fundit rradhazi na kanë dhënë tjetër besim pavarësisht humbjes së fundit me Skënderbeun. E rëndësishme është të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në këtë vit në mënyrë që ta mbyllim ashtu si duhet këtë sezon.
-Së fundi, të shtunën përballja e parë me Kukësin kryesues të kampionatit. Mund ta ndalni?
-Kukësi është një skuadër e fortë dhe jo më kot është në krye. Por të mos harrojmë se kukësianët dolën në krye ngaqë ne ndalëm Partizanin. Nuk përjashtohet mundësia të ndodhë ndryshe këtë herë. Objektivi jonë do jetë vetëm fitorja në këtë ndeshje.
© shkodrasport.com