Me koshin e shënuar në sekondën e fundit të ndeshjes ndaj Teutës, Ervin Berdica i dha fitoren Vllaznisë. Një fitore me shumë vlerë sepse e ktheu këtë skuadër sërish në vendin e parë pas shumë kohësh. Në fakt, ai trepikësh në “Ramazan Njala” ka marrë shumë vlerë sepse kuqebutë ishin pothuajse të humbur ngaqë rezultati ishte 72-71 për vendasit, kur kishin mbetur edhe vetëm 2 sekonda lojë. Pasimi nga anësorja tek ai, pozicionimi, përqendrimi dhe goditja e saktë nga një kënd jo i lehtë për të shënuar, megjithatë ka qenë i saktë duke e dërguar topin në kosh.

Kaq ka mjaftuar që Vllaznia të fitonte 74-72 dhe tashmë shkodranët ndodhen në pozita komode në renditje.

Duke folur për “Shkodra Sport” për atë kosh dhe për atë fitore, kapiteni Berdica do të shprehej: “Një fitore shumë emocionuese që rikthen Vllazninë në vendin e parë në renditje dhe po ashtu rikthen edhe entuziasmin në skuadër. Sa për koshin, mund të them se më shumë ishte shans. E rëndësishme është që ai kosh vlejti për të marrë fitoren dhe kjo do të na ndihmojë shumë për ecurinë e mëtejshme në kampionat. Na ka dhënë më shumë besim se do ia dalim ndaj çdo kundërshtari”.

© shkodrasport.com