“Interi e vuri shumë në vështirësi Atalantën falë mënyrës së tij të lojës. Kjo për shkak se është një ekip që kontrollon lojën, ndaj është e vështirë ta ndalosh duke mbuluar një për një lojtarët e tij. Atalanta në pjesën e parë ishte pak më e tërhequr, por që në fillim lejoi rastin e shtyllës nga Thuram.
Me kalimin e minutave, Atalanta u sistemua më mirë, luajti një pjesë të parë të mirë, por goli në pjesën e dytë e prishi ekuilibrin. Për të ishte e lodhshme ta ndalonte këtë lloj loje me pasime, sepse Interi e nis ndërtimin e aksioneve nga mbrojtësit dhe mesfushorët, duke e mbështetur mirë lojën te sulmuesit. Atalanta e ka të vështirë ta lexojë këtë lloj loje. Gasperini u përpoq të ndryshonte diçka, por nuk mjaftoi”.
Kështu u shpreh Beppe Bergomi, legjenda e Interit dhe kampion bote në vitin 1982, në një intervistë për “Radio Anch’io Sport”, duke shpjeguar pse Atalanta e ka kaq të vështirë ta mundë Interin.
Napoli i ndalur në Venecia: “Kampionati çdo javë rezervon kurthe. Një javë më parë, Interi ishte në disavantazh me dy gola ndaj Monzës. Shumë rezultate i marrim si të mirëqena, por duhet të kuptojmë se skuadrat tona janë të gjitha të mirëtrajnuara. Dhe pastaj, ndeshjet duhen zhbllokuar. Ndryshe nga Interi dhe Atalanta, Napoli ka më shumë vështirësi për të shënuar. Ka mbrojtjen më të mirë, por vuan për ta gjetur golin. Ndeshjen e fundit pati raste, por Radu bëri pritje të shkëlqyera, Raspadori goditi shtyllën. Çdo javë ka sfida të rrezikshme”.
Urime për Trapattonin: “Trapattoni ka qenë një person shumë i rëndësishëm për rritjen time. Pesë vite në nivel të lartë më ka ndihmuar të rritem si lojtar dhe si njeri. Kam pasur një raport të veçantë me të edhe si kapiten. E përshëndes dhe i uroj shumë gëzime për ditëlindjen”.
Interi drejt tripletës: “Nuk e di nëse mund ta realizojë tripletën, kohët kanë ndryshuar. Kampionati është shumë konkurrues. Ajo që më pëlqen te kjo skuadër është se nuk dorëzohet asnjëherë, edhe me rrezikun për të mos fituar asgjë. Tani ka një avantazh në kampionat, por në prill, me Bayern Munich në Champions dhe Milanin në Kupën e Italisë, do të harxhojë shumë energji nervore. Inzaghi duhet të bëjë një rotacion të mirë, duke shpresuar që të gjithë të rikuperohen. Interi ka nevojë për një grup të thellë, sepse është edhe skuadra më e vjetër në Serie A dhe këtë vit ka pasur dëmtime të shumta. Nëse të gjithë janë mirë, mund të mendojë për të shkuar deri në fund të të gjitha garave”.
Thiago Motta, e ardhmja e tij është e përcaktuar: “Më shumë se aspekti taktik, ajo që doli nga dy ndeshjet e fundit është aspekti karakterial. Juventusi nuk po tregon identitetin e tij të zakonshëm. E njohim si një skuadër që gjithmonë ka pasur moton ‘e vetmja gjë që ka rëndësi është të fitosh’ dhe ‘deri në fund’. Këto gjëra nuk po i shohim më. Duhet të kuptojmë cilët janë liderët dhe kush mishëron shpirtin e Juventusit. Gatti, Cambiaso, Locatelli mund ta transmetojnë këtë shpirt, por as ata nuk luajnë gjithmonë. Juventusi duhet të nisë nga aspekti karakterial”.
Vendimet e diskutueshme të Motta: “Ndaj Fiorentinës, tri ndërrimet e para ishin tre mbrojtës. I kërkova arsyen pse Nico Gonzalez po luan në të majtë, kur zakonisht shkëlqen në të djathtë, duke u futur brenda me këmbën e tij të preferuar. Edhe Yildiz po luan shumë pak, ndërkohë që ai mban fanellën me numrin 10 të Juves. E njëjta gjë vlen për Koopmeiners. Duhet që skuadra të funksionojë në mënyrë që lojtarët të shprehin cilësitë e tyre. Po marr si shembull Romën, mendoja se kishte një ekip të ndërtuar keq, me shumë lojtarë të njëjtë. Por erdhi Ranieri, e sistemoi skuadrën dhe tani funksionon mirë, me shumë alternativa. Pra, puna e trajnerit është vendimtare. Ka ende kohë për Juventusin të kapë vendin e katërt, është një betejë e vështirë, por i ka lojtarët e duhur”.
Situata te Milani: “Mendoj se është skuadra me më shumë talent në kampionatin tonë. Kjo tregohet nga fakti që arrin t’i përmbysë ndeshjet me ndërrimet nga stoli. Futen lojtarë si Leao apo Joao Felix. Problemi i Milanit është ekuilibri i skuadrës. Pëson gjithmonë gola nga pasimet në thellësi, që nuk janë normale për një ekip të tillë. Ky talent duhet strukturuar dhe të luajë më shumë si ekip. E pranoj forcën e Milanit, ka lojtarë të shkëlqyer në duelet një kundër një dhe në kundërsulme, me dy yje si Pulisic e Reijnders”.
Sa e rrezikon Conceicao të ardhmen në derbin e Kupës së Italisë: “Është e vështirë të thuhet, varet nga raporti mes tij dhe ekipit. Nuk e di, por Conceicao është një trajner i mirë, shumë i fortë nga ana karakteriale, sepse arrin gjithmonë të rikuperojë ndeshjet. Trajnerët lidhen me rezultatet, ndaj gjithçka varet nga derbi i kupës dhe nëse do të arrijë të kapë vendin e katërt”.
Këshilla për Marottën për të ardhmen: “Ka shumë lojtarë që më pëlqejnë. Nga sezoni i ardhshëm, sipas udhëzimeve të Oaktree, Interi do të ndjekë profile të rinj, si Bisseck, me kosto të ulët, por me potencial për t’u rritur, duke u përpjekur të mbajë bazën aktuale të skuadrës, me ndonjë largim të mundshëm si Frattesi. Nëse duhet të jap një emër që më pëlqen, është Isaksen i Lazios. Po bën shumë mirë, është rritur jashtëzakonisht”.
Kombëtarja italiane: “Mësimi nga Europiani i shërbeu Spallettit. Tani ka gjetur një sistem loje dhe lojtarët e duhur, me shumë cilësi. Kundërshtari ynë i afërt, ekipi i Gjermanisë, është i fortë, i ri dhe plot talente. Sidoqoftë do t’i luajmë shanset tona, jam optimist. Spallettin e quaj ‘gjeniu i futbollit’, sepse gjithmonë gjen zgjidhje të reja”.