“Kam folur me të 15-20 ditë më parë, më tha se do të vinte të shikonte Inter-Salernitana”. Një kujtim i freskët dhe i gjallë, ai i Giuseppe Bergomit mbi Andreas Brehme. Shokë skuadre për 4 sezone me fanellën e Interit, protagonistë të titullit me rekord dhe suksesit në Kupën UEFA, ish-kapiteni i zikaltërve zgjodhi TMW për t’i dhënë lamtumirën ish-mbrojtësit gjerman, që u nda nga jeta në mesnatë, në moshën 63-vjeçare, pas një problemi në zemër.
“Kemi pasur një marrëdhënie të mrekullueshme. Mbaj mend se kur ai vinte në Itali ose unë shkoja në Gjermani për arsye pune, takoheshim gjithmonë për të ngrënë një drekë a darkë së bashku. Ishte kënaqësi të kalonim kohë së bashku. Kishim një marrëdhënie e shkëlqyer, prandaj provoj një trishtim të madh për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta. Andy për mua ishte vërtet një person i madh, i gëzuar, me një dëshirë të madhe për të jetuar”, – thotë Bergomi.
Kujtimet më të bukura të kaluara së bashku: “Janë kaq shumë, mund t’ju them një numër të pafund… Kur ishim në grumbullim, pasi mbërritën ai dhe gjermanët e tjerë tek Interi, shpesh shkoja në dhomën e tyre dhe përpiqesha t’i bëja të mësonin italisht. Së bashku qeshnim dhe bënim shaka. Ajo që dua të kujtoj, megjithatë, është thellësia e personit, fantastik në të gjitha aspektet”.
Ka edhe kujtime sportive, megjithatë: “Çfarë mund të them për futbollistin… Ishte i jashtëzakonshëm, lideri ynë i vërtetë. Ju i pasonit topin dhe ai e dinte gjithmonë se çfarë të bënte, nuk e humbi kurrë. Një tjetër gjë e mrekullueshme për të ishte kultura e punës. Kur mbërrinim ne në fushë, ai ishte gjithmonë atje duke u stërvitur”./telesport/