Ka thyer çdo rekord të mundshëm për gola të shënuar dhe trofe të fituar në futbollin australian, por Besart Berisha, ish-sulmuesi i Shqipërisë dhe Kosovës, e ka të vështirë të gjejë një ekip të ri për të vazhduar karrierën në Australi.

Futbollisti u largua nga Australia 13 muaj më parë, pasi zgjodhi t’i bashkohej Sanfreçe Hiroshima në Japoni. Por atje, ai nuk gjeti hapësirat që dëshironte, duke luajtur vetëm 6 ndeshje si zëvendësues në sezonin e parë dhe asnjë minutë në këtë të fundit, para se të ndërpriste kontratën me japonezët.

Sipas mediave australiane, karakteri i tij impulsiv solli disa përplasje me trajnerin Hiroshi Jofuku, e për këtë arsye ai nuk arriti të gjente hapësira te japonezët, të cilët e paguanin si një prej yjeve të kampionatit.

Pasi ndërpreu kontratën, tashmë 34-vjeçari Berisha u kthye që të luante në Australi, por për çudi, askush nuk duket i interesuar për futbollistin i cili ka shënuar 106 gola në 171 ndeshje në kampionatin e këtij vendi.

Shumë prej klubeve janë në kërkim të një sulmuesi para fillimit të sezonit në tetor dhe Berisha, i cili tashmë ka edhe nënshtetësinë australiane, do të ishte një okazion i mirë. Megjithatë, raportohet se as klubet e nivelit të dytë nuk i kanë bërë ofertë futbollistit, të rezervuar nga fakti që ka shumë muaj pa luajtur.

Nëse ofertat nuk do të vijnë , atëherë pritet që lojtari të kthejë sytë nga ndonjë prej skuadrave të kategorive më të ulëta në Australi, vend ku do të vazhdojë të jetojë e pritet që shumë shpejt të nisë kurset për t’u bërë trajner. /vipsport/