Silvio Berluskoni, ka folur për herë të parë për skuadrën e tij të re që ka në pronësi, Monzën, e cila militon në Serinë C italiane. Ish-presidenti legjendar i Milanit, tashmë është rikthyer në botën e futbollit, pasi një javë më parë kompletoi blerjen e Monzës, e ashtu si në kohët e klubit kuqezi, administrator të deleguar do të jetë Adriano Galiani.

“Kavalieri”, në fakt i ka habitur të gjithë me deklaratën e tij, në lidhje me mënyrën si do të jetë klubi i Monzës.

“Po mendojmë për një grup të përbërë vetëm nga futbollistë italianë dhe kryesisht të rinj në moshë. Kushti i parë do të jetë që ata të kenë model të rregullt flokësh dhe këtë do t’ua ofrojmë falas në një parukeri të Monzës, ndërsa do të jenë të ndaluara mbajtja e mjekrës dhe tatuazhet në trup.

Duam që lojtarët tanë të jenë shembull i korrektesës, të kërkojnë falje sa herë që shkaktojnë faull, të trajtojnë arbitrat si zotërinj të vërtetë, t’u shtrëngojnë dorën kundërshtarëve pas çdo ndeshjeje dhe pse jo, të mund t’i shërbejnë sa më shumë edhe përfaqësueses italiane në të ardhmen”, deklaroi Berluskoni.

Edhe pse duket si një tërësi rregullash pothuajse e pamundur, ky mund të jetë një bast i Berluskonit, për këtë aventurë të re që ka nisur.