Bernardo Silva, mesfushori sulmues i Manchester Cityt dhe Portugalisë, ka dhënë një intervistë për Sky Sports me bashkatdhetarin e tij, Ruben Dias. Ndër të tjera Silva i është përgjigjur pyetjes se pse nuk shkon në palestër.

“Unë nuk shkoj në palestër, kjo është për ata që nuk dinë të luajnë top”, është përgjigjur Silva, ku drejtuesi i emisionit dhe Dias kanë filluar të qeshin me të madhe.

Silva njihet pikërisht për teknikën e tij të futbollit. Karriera e tij filloi në Benfica, ku ai kaloi të gjitha moshat më të reja dhe luajti 38 ndeshje për ekipin B dhe vetëm tre për ekipin e parë.

Sipas Transfermarkt, Monaco e huazoi si 20-vjeçar dhe e bleu gjysmë viti më vonë për 15.75 milionë euro. Ai ishte pjesë e brezit të madh të klubit francez me Kylian Mbappe, Radamel Falcao, Fabinho dhe portierit Danijel Subasic. Në vitin 2017 fituan kampionatin francez dhe luajtën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku u eliminuan nga Juventusi.

Manchester City e pagoi 50 milionë euro dhe tashmë prej vitesh është një nga lojtarët e preferuar dhe më të mirë të trajnerit Pep Guardiola.
Ai me Man Cityn fitoi 17 trofe, luajti 359 ndeshje, shënoi 67 gola, duke shtuar edhe 68 asistime. /Telegrafi/