Besa-VllazniaShkodranët vazhdojnë të luajnë ndeshje “krizash”, teksa në javën paraardhëse e tillë ishte ndeshja në «Loro Boriçi», ku sfidën e dy ekipeve në krizë (Vllaznia-Tirana) e fituan bardheblutë e Alban Tafajt. Pas eleminimit në kupë nga Shkumbini, si dhe pas dy humbjeve radhazi në kampionat, Vllaznia nuk është në “shinat” e duhura, të cilat e çojnë në zonën europiane. Gjithsesi, nuk duhet të gjykojmë nisur nga dy humbje, porse ecurinë e shkodranëve, përpara se ta paralajmëroja përmes opinioneve të mia në analizat e prag-kampionatit, e kanë analizuar me hollësi specialistët vendas, të cilët e kanë parashikuar që Vllaznia do të vinte në pozitat e tanishme, aspak komode dhe tepër fyese për ngjyrat kuqeblu – edhe pse në këtë aspekt, si rëndom në aspekte të tjera gjatë këtyre viteve, jemi mësuar me Vllazninë. Fanella e saj është konvertuar në një leckë, e cila mund të përdoret, siç i thonë shkodranët, edhe për shtûpa. Në krahun tjetër, verdhezinjtë në tre ndeshjet e fundit kanë regjistruar dy humbje dhe një barazim, duke prishur ndjeshëm ecurinë e tyre pozitive, por edhe synimet e drejtuesve të klubit Besa, të cilët tashmë përpos vështirësive të përvitshme që ofrojnë kampionatet tona tëfutbollit, duhet të bëjnë edhe me tekat e punonjësve të federatës, të cilët duke e dënuar Besën pretendojnë se ndihmojnë futbollin e disiplinuar, por vetëm zgjojnë – përveç zemërimin e tifozëve kavajas, edhe indinjatën e thellë të aktorëve të futbollit në vendin tonë, duke filluar nga presidentë, trajnerë, futbollistë, menaxherë, media, gazetarëetj. Kjo ndeshje, e cila do të luhet në fushë asnjanëse për arsyet e lartpërmendura, pasi i është tekur federatës së futbollit, ngaqë Besa zhvilloi një ndeshje të bukur ndaj Skënderbeut dhe ndaloi ritmin e këtyre të fundit, të dënojë stadiumin e Kavajës – luhet vetëm për tre pikë, pasi “fitorja ban me rikthye rezultatet pozitive, si tek Besa, ashtu edhe tek Vllaznia”.
Kastrioti-Skënderbeu.Miqtë nga Korça, pasi do të njihen me rezultatet e rivalëve të tyre, si Flamurtari, Kukësi dhe Teuta, do të “përpjekin” kokën në bedenat e “kalasë së Krujës”. Fitorja është “dënim” për vendasit, të cilëve çdo rezultat tjetër nuk do t’i bënte punë, teksa gjenden pranë rrezikut: rënie poshtë “humnerës”, e cila mban emrin Kategori e Parë. Kastrioti vjen nga dy humbje radhazi dhe me një golaverazh negativ, 0-5. Nga ana tjetër, për bardhekuqtë nuk është aq e lehtë të gjesh fjalët pozitive për të përshkruar ecurinë e deritanishme të tyre. Ato janë kryesuesit, kampionët në fuqi të vendit, kanë zhvilluar lojëra të bukura dhe për më tepër kanë mundur rivalë direkt në garën për titull, si Vllaznia, Teuta dhe Tirana, si dhe kanë barazuar me Besën, teksa kanë edhe dy sfida-kreu të tjera, të mërkurën e ardhshme, përballë Flamurtarit dhe ndeshjen e fundit të fazës së parë në “Strofullën e Ujqërve”, ndaj Kukësit. Deri atëherë nuk është se na ndan shumë kohë, por futbolli rezultativ njeh nga një sfidë në tjetrën dhe e rëndësishme njëherë për djemtë e Josës është marrja e “kalasë së Krujës”.
Tirana-Apolonia.“Hallexhinjtë” e kryeqytetit do të përpiqen të marrin fitoren e dytë radhazi, së paku për të mbuluar problemet e shumta, që po dalin çdo ditë brenda klubit. Nuk mjafton irritimi i drejtë i tifozërisë bardheblu me lojën e dobët të 24 herë kampionëve të vendit dhe me mënyrën e mbrapshtë sesi po menaxhohet klubi me më shumë tituj në Shqipëri, por tashmë brenda “zonës sizmike” ndodhen edhe financat e këtij klubi. Fitorja do të mbyllte disa “qoshka”, edhe pse nuk do t’i vinte “kapakun” gjërave, pasi “kapakun” bardheblutë e kanë të rëndë dhe do mund e djersë për ta vënë siç duhet, sepse vetëm titulli kampion mundëson një gjë të tillë. Ndërkohë që për bardheblutë themi “hallexhinj”, nuk dimë se ç’të themi për Apoloninë, e cila edhe pse ka përmirësuar ndjeshëm lojën e saj, sidomos në këto dy javët e fundit, nuk po arrin akoma te fitorja e parë sezonale. Jo se triumfi ndaj Tiranës do t’i shpëtonte bardhejeshiltë, por do t’i ndizte atyre një dritë jeshile për vazhdimësinë. Ndryshe, “lamtumirë” superiore!
Shkumbini-Laçi.Një ndeshje, e cila vë përballë dy skuadra në pozicione të ndryshme në tabelën e klasifikimit. Laçianët që i janë ngjeshur kreut të renditjes dhe peqinasit që nuk po dinë të dalin nga “fundi i tunelit”. Në kampin bardhekaltër, boshllëku i krijuar nga largimi i Gugash Maganit është zëvendësuar menjëherë me Kristaq Milen, trajnerin që drejtoi deri para dy javësh Tomorin. Një ndeshje interesante, ku për Shkumbinin veç fitores, çdo rezultat tjetër me të drejtë duhet quajtur dështim – një dështim, i cili do të lërë mjaft pasoja në luftën për mbijetesë. Sakaq, laçianët do të kërkojnë të vazhdojnë ecurinë e rezultateve pozitive, për të rikonfirmuar kësisoj “kandidaturën” e tyre europiane.
Besa-Vllaznia, sfida e krizës
Analizë nga REDAN BUSHATI