Vllaznia U-13 mori para pak ditësh një barazim 1-1 në transfertë ndaj Tiranës. Në fakt, ai që spikati në këtë ndeshje, ka qenë portieri 12-vjeçar Besardo Ndoj, i cili është padyshim një ndër portierët më me të ardhme të Akademisë Vllaznia. Në përballjen e zhvilluar ndaj Tiranës, Ndoj luajti një rol mjaft të rëndësishëm me pritjet e tij vendimtare.

Ai arriti të presë një penallti, por në topin e kthyer pas gjuajtjes së 11-metërshit, Ndoj bëri edhe dy pritje të tjera spektakolare, duke mbajtur portën e paprekur në këtë rast dhe në fund, duke i dhënë barazimin ekipit të Vllaznia U-13. Në këtë ndeshje, Ndoj dha më të mirën e mundshme me pritjet nga ana e tij dhe kjo e ka bërë atë të evidentohet nga të tjerët edhe nga trajneri i Vllaznia U-13, Haris Dalipi.

“Portieri Ndoj është i spikatur nga të gjithë trajnerët e ekipeve rivale, por është i përhershëm edhe me grumbullimet e tij në ekipet Kombëtare të moshave. Për mua, si trajner është privilegj ta kem në skuadër, pasi përveçse është kapiten i ekipit Vllaznia U-13, është shumë i talentuar dhe luan si një lider në të gjitha ndeshjet. Deri më tani, Ndoj ka bërë ndeshje shumë pozitive, por shpresoj që të bëjë më mirë sërish në të ardhmen dhe pse jo, një ditë të mbrojë portën e ekipit të parë.

Megjithatë, Besardos i duhet shumë punë dhe përkushtim për të arritur atje ku duhet. Në fakt, ato nuk i mungojnë, por ka akoma shumë rrugë të gjatë përpara. I uroj shumë suksese, pasi është një nga futbollistët më të mirë që kam unë, por edhe Akademia Vllaznia”,-tha në fjalët e tij, trajneri i Vllaznia U-13, Haris Dalipi.

Besardo Ndoj është kapiten i Vllaznia U-13, por përveç asaj, është kontigjent i rregullt edhe i ekipeve Kombëtare të moshave. Poashtu, një fakt tepër interesant është që Besardo Ndoj është “gardiani” i tretë që nxjerr kjo familje, pasi si portier luan edhe vëllai i tij, Alevio Ndoj tek Vllaznia U-16, por më përpara në këtë rol, ka luajtur edhe babai i tyre, Besnik Ndoj tek Ada e Velipojës.
Maringlen ZHIVANI