Fundjavën e shkuar Vllaznia B mposhti 2-0 Besëlidhjen, në një ndeshje shumë delikate dhe që i paraprinë polemika, sepse Vllaznia B kërkonte të luante të dielën, duke qenë se të shtunën luante në të njëjtën orë edhe Vllaznia në Lushnjë.
Gjithsesi, FSHF refuzoi kërkesën, duke argumentuar edhe me faktin se Besëlidhja nuk pranoi që ndeshja të spostohej me 24 orë.
Vllaznia B mori një fitore të shkëlqyer, ndihmuar edhe nga dy lojtarë të rëndësishëm të ekipit të parë, si Eraldo Çinari e Ardit Krymi, i cili mungonin në Superiore për pezullim.
Duke qenë se FSHF nuk e ndalon aktivizimin e lojtarëve të pezulluar me ekipet B, Vllaznia B i përfshiu në skuadër dhe të dy dhanë kontributin e vet, por kjo gjë ka ngjallur reagimin e Besëlidhjes, që ka kërkuar fitore në tavolinë dhe ka bërë ankimim në FSHF, me pretendimin se lojtarët e pezulluar nuk mund të luajnë në kategori tjetër.
Në lidhje me këtë pretendim të Besëlidhjes ka reaguar trajneri i Vllaznisë B, Ervis Kraja, i cili për gazetën shpjegon gjithë këtë histori dhe i jep një përgjigje të qartë Besëlidhjes, që sipas tij ishte informuar si nga Vllaznia B, ashtu edhe nga delegati i ndeshjes, se dy futbollistët lejoheshin të luanin.
“Kam mësuar që Besëlidhja paska bërë ankesë në Federatë në lidhje me ndeshjen kundër nesh, duke kërkuar fitore në tavolinë, ngaqë kanë luajtur Çinari e Krymi.
Jemi në 2018 dhe kemi ende drejtues që i duan fitoret në tavolinë, pasi humbasin në fushë. U them këtyre drejtuesve se të të mundë Vllaznia nuk është turp, bëjnë mirë ta kuptojnë këtë gjë, pak rëndësi ka nëse është Vllaznia A, B apo C, sepse mbetet Vllazni dhe kur përballesh me të, së pari duhet të mendosh humbjen më shumë se fitoren.
Nëse humbet është normale, nëse barazon duhet të gëzohesh dhe nëse fiton duhet t’i falënderosh shumë futbollistët për arritjen e madhe.
“Gjithsesi, i komunikuam Besëlidhjes para ndeshjes se kemi kontaktuar me Federatën dhe jemi informuar.
Në bazë të rregullores, lojtarët tanë kanë luajtur, ndërkohë që kemi pyetur për siguri edhe delegatin e FSHF-së dhe na tha që çdo gjë ishte në rregull, ndaj më vjen keq që dalin tani këto histori, gjoja Besëlidhja nuk dinte gjë.
Ne shohim ndeshjen e radhës kundër Besës, ku synojmë fitoren dhe nëse ia dalim, shpresojmë sërish të kapim 5-shen e parë në renditje”, sqaron Kraja, dukshëm i bezdisur nga sjellja e drejtuesve lezhjanë./sportekspres/